1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët në Evropë - Një pjesë e mjeteve financiare të BE-së për integrimin e pakicave nuk shfrytëzohen sa duhet

12 Tetor 2010

Gjatë viteve të kaluara BE-ja ka krijuar një program të gjërë mbështetës për romët dhe sintit. Por vendet antare Rumani dhe Bullgari nuk i kanë shfrytëzuar sa duhet fondet sociale evropiane për këtë qëllim.

https://p.dw.com/p/Pbi4
Fotografi: AP

Të martën dhe të mërkurën (12.10.-13.10.) në kryeqytetin rumun Bukuresht do të zhvillohet një konferencë e BE-së mbi programet për ndihma për pakicat e romëve

Për integrimin e pakicave, si për shembull romëve, shtetet anëtare mund të përdorin mjete nga fonde të ndryshme të BE-së. Më të rëndësishmet janë fondet strukturore. Por në rast se njerëzit në nevojë vijnë nga vende joanëtare të BE-së, atëherë mund të përdoren fonde të BE-së për integrimin apo për refugjatët. Por mesa duket disa shtete nuk kanë interes të marrin të hollat e BE-së, u ankua komisoneri i BE-së për çështjet sociale, Laszlo Andor:

"Dua të theksoj se këtu përgjegjësinë e mbajnë BE-ja dhe shtetet anëtare së bashku. Fondet strukturore janë një mjet shumë i dobishëm për të mbështetur përpjekjet kombëtare për përmirësimin e situatës së romëve në vend. Por fondet e BE-së shpesh nuk shfrytëzohen plotësisht apo në mënyrë optimale."

Vendet me pakica të mëdha romësh në vend, nuk i përdorin mjetet e BE-së

Mesa duket sidomos vendet që kanë pakica të mëdha romësh në vend, nuk i përdorin mjetet e BE-së: sipas komisionerit Andor, Rumania përdor vetëm 1 për qind të këtyre fondeve, Bullgaria pesë për qind të fondeve sociale dhe 1 për qind të fondeve strukturore. Por sigurisht që nuk ekziston një detyrim nga ana e BE-së për t'i përdorur këto fonde, thotë deputeti gjerman i CSU-së në Parlamentin e Evropës, Manfred Weber:

"Ne shpresojmë se duke vënë në dispozicion fonde të mjaftueshme, nxisim interesin për t'i përdorur ato. Por sigurisht edhe te integrimi ka rendësi themelore se vendet, pra qytetet dhe rrethet e tyre, duhet t'i përdorin vetë këto fonde, nuk mund t'i detyrojmë. Dhe sigurisht që këtu nevojitet edhe kreativiteti i këtyre vendeve."

Komisioni Evropian krijon grupin e punës

NO FLASH Roma protestieren vor dem EU Parlament
Fotografi: AP

Komisioni Evropian ka krijuar tani një grup pune. Deri në fund të vitit do të verifikohet se cilat janë problemet në vendet e prekura. Komisioni do ta shqyrtojë temën e integrimit të romëve si pjesë të të ashtuquajturave "Objektivat 2020" të BE-së, shpjegon komisioneri Andor:

"Pres që vendet anëtare të kenë objektiva ambicioze dhe konkrete për temën e romëve, kur të përpunojnë për vendet e tyre 'Objektivat 2020' përsa i përket luftimit të varfërisë, punësimit dhe arsimit. Sidomos punësimi duhet të përfshijë romët. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për luftimin e varfërisë apo integrimin social. Ne duhet të sigurojmë që romët do të përmenden specifikisht në projektin tonë 'Objektivat 2020'".

Sipas shoqatës "BE-Romët", iniciativë kjo e krijuar nga qeveria spanjolle me ndihma të BE-së, në Bullgari çdo dy romë janë të papunë. Në Rumani mbi dy të tretat e romëve në vend nuk kanë punë të rregullt.

Problemet e romëve kanë kohë tashmë që njihen, edhe BE-ja ka vënë fonde të mjaftueshme në dispozicion për integrimin e kësaj pakice. Por duket sikur problemi për integrimin e romëve në shoqëri po kontrollohet në mënyrë më sistematike pas zënkës me Francën dhe politikën e saj ndaj romëve.

Autorë: Christoph Hasselbach/ Sonila Sand

Redaktoi: Eliana Xhani