"Reporterët pa Kufij": 2009 nuk ishte vit i mirë për gazetarët
31 Dhjetor 2009Kanë ardhur kohëra të këqija për lirinë e shtypit, thuhet në raportin e fundit të organizatës Reporterët pa Kufij. Bilanci i vitit 2009 përshkruan masat e dhunës së shtetit dhe kërcënimet që janë ndërmarrë ndaj gazetarëve në mbarë botën, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Anja Viohl ka përmbledhur raportin e seksionit gjerman të organizatës Reporterët pa Kufijë.
"Në shumicën e rasteve kemi një tendencë negative, kemi parë se numri është shtuar gjithandej. Është shtuar numri i të vrarëve dhe rasteve të cenzurimit të medieve. Numri i vetëm i cili është zvogëluar është ai i arrestimeve."
76 gazetarë janë vrarë gjatë këtij viti, një të katërtën më shumë se në vitin 2008. Gati gjysma e viktimave janë vrarë gjatë një ngjarje tragjike në fushatën zgjedhore në Filipine.
"Shumica janë vrarë në Filipine, në masakrën e cila ka ndodhur në nëntor në ujdhesën jugore Mindanao. Gjatë një dite atje janë vrarë 30 gazetarë, të gjithë nga ky vend. Edhe me këtë rast duhet theksuar: me përjashtim të një rasti, të gjithë gazetarët janë vrarë brenda vendit të vet."
Përjashtim i vetëm është vrasja e Christian Povedës, autorit francezo-gjerman të filmit dokumentar, i cili në fillim të shtatorit është vrarë në El Salvador. Në Amerikë janë vrarë gjashtë gazetarë. Kontinenti më i rrezikshëm megjithatë është Azia, me 44 të vrarë. Ndërsa Somalia është vendi ku janë vrarë më së shumti gazetarë.
"Gjashtë prej nëntë gazetarëve të vrarë në këtë vend, janë vrarë nga grupet ekstremiste. Në Somali gati që nuk ka media të pavarura. Ka vetëm disa radio të cilat përpiqen që popullatës së atjeshme t'i ofrojnë informacione nga burime të pavarura, por shumë shpejt gjenden në shënjestër të ekstremistëve. Për shembull, gjatë këtij viti janë vrarë tre reporterë të këtyre radiove."
Gazetarët më së shumti cënohen në rajonet e luftës dhe në kohën e zgjedhjeve. Por në kohën e krizës ekonomike për gazetarët ishin të rrezikshme edhe informacionet ekonomike, thotë Anja Viohl.
"Në Korenë e Jugut është arrestuar një blogger vetëm për shkak të përhapjes në internet të informatave për gjendjen katastrofale në vendin e tij. Në Tajlandë janë arrestuar gjashtë blogger, vetëm për shkak se kanë bërë ndërlidhjen e rënies së kurseve me shëndetin e mbretit, ose të paktën kanë supozuar një gjë të tillë. Dhe kjo mjaftoi për të akuzuar këta njerëz se kanë nxitur krizën ekonomike."
Bloggerëve u kushtohet një vëmendje e posaçme edhe në vendet të cilat duan të kontrollojnë mediet e reja dhe të bëjnë presion ndaj tyre. Numr i të arrestuarve për shkak të shprehjes së mendimit në internet është rritur për 150 %, nga 78 në 151. Irani dhe Kina kanë marrë masa të veçanta.
"Kemi konstatuar se janë arrestuar shumë njerëz, vetëm pse kanë dërguar diçka përmes Facebook-ut ose kanë përhapur fotografitë e tyre përmes Facebook dhe Youtube. Ata nuk janë blogger në kuptimin e plotë të fjalës, por janë angazhuar gjatë protestave të fundit dhe kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve. Prandaj kemi vendosur që për këta të bëjmë një listë të posaçme."
Situata nuk do të përmirësohet as në vitin e ardhshëm, pohon Anja Viohl. Zgjedhjet do të mbahen në Bregun e Fildishtë, Sri Lankë, Birma apo në Irak dhe kjo zgjon frikën se regjimet në këto vende do t'i përndjekin gazetarët kritikë.
Autor: Heiner Kiesel / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti