1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet e politikanëve gjermanë ndaj protestave në vendet islamike

Judith Hartl5 Shkurt 2006

Në grindjet rreth karikaturave të profetit Muhamed, politikanët gjerman mbrojtën lirinë e shtypit dhe e quajtën të papranueshme valën e dhunës. Por njëkohësisht ata kërkojnë më tepër respekt ndaj ndjenjave fetare të të tjerëve.

https://p.dw.com/p/Ar1P
Protesta të dhunshme në botën arabe
Protesta të dhunshme në botën arabeFotografi: AP

Me një eskalim të tillë të dhunës nuk ka llogaritur askush. Ngjarjet po marrin përmasa të paparashikueshme. Hidhërimi për karikaturat e profetit Muhamed po kthehet në inat ekstrem ndaj botës perëndimore. Qeveria federale gjermane po i vëzhgon ngjarjet e ditëve të fundit dhe është shumë e brengosur, tha shefi i diplomacisë gjermane Frank-Valter Stajnmajer. Kancelarja Angela Merkel ushtrohet nga njëra anë në diplomaci dhe siguron se e kupton që ndjenjat fetare të myslimanëve janë lënduar, për këtë nuk bëhet fjalë:

"Por po ashtu unë dua ta bëj të qartë se e konsideroj të papranueshme që mbi këtë bazë të shihet legjitimimi i përdorimit të dhunës. E drejta e lirisë së shtypit duhet të mbetet këtu e paprekur", tha Merkel.

Ngjashëm u shpreh edhe presidenti federal gjerman Horst Köhler. Ai kërkon në këtë gjendje të nxehtë, siç thotë ai, një dialog të më të fortë mes Evropës dhe vendeve myslimane.

"Shprehja e lirë e mendimit është një komponent e domosdoshme e demokracisë evropiane, por tek liria bën pjesë edhe përgjegjësia dhe respekti ndaj të tjerëve, po ashtu edhe respekti ndaj ndjenjave fetare. Dhuna dhe kërcënimet megjithatë janë të papranueshme në çfarëdo rrethanash. Andaj ne i dënojmë ashpër përleshjet dhe sulmet e ekstremistëve të cilat i pamë këto dy ditë e fundit", tha presidenti gjerman Horst Köhler.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Stajnmajer deshi para së gjithash të theksojë se tani me rëndësi është që karikaturat dhe satirat në asnjë mënyrë nuk guxojnë të ndalohen as pjesërisht. Shumë më e kuptueshme dhe e rëndësishme është tani që në vendet islamike të angazhohemi më fortë për të hasur në mirëkuptim, sepse në demokraci bën pjesë edhe botimi i pakufizuar i karikaturave.

"Për ne vlen: liria e shprehjes së mendimit, liria e shtypit janë komponente elementare të rendit tonë shoqëror dhe demokracisë sonë dhe si të tilla ato janë inkorporuar patundshëm në kushtetutën tonë", tha Stajnmajer.

Por natyrisht që është e qartë ka vazhduar Stajnmajer se përqeshja e kulturës dhe religjionit të të tjerëve nuk i shërben dialogut të ndërsjellë. Ai druhet se karikaturat e tilla mund të instrumentalizohen për të rritur antidisponimin ndaj botës perëndimore. Por Stajnmajer siguron se:

"Unë mendoj se ne ende nuk kemi një luftë mes kulturave. Por ne jemi ende shumë më larg se sa që duam prej dialogut për të cilin përpiqemi dhe para së gjithash me larg sesa që është e nevojshme", thekson ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Stajnmajer.