RAF është një kapitull i ″historisë″ gjermane | Gjermania | DW | 23.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

RAF është një kapitull i "historisë" gjermane

Kapitulli i RAF-it konsiderohej prej shumë njerëzve si i mbyllur. Por edhe sot ka ish-terroristë që vazhdojnë të vuajnë dënimin nëpër burgjet gjermane

Simbol i Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe në Gjermani

Simbol i Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe në Gjermani

Përpara mëse dhjetë vjetësh organizata terroriste Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe, shkurt RAF, publikoi në media shpërbërjen e saj. Kapitulli i RAF-it kësisoj konsiderohej prej shumë njerëzve si i mbyllur. Ndonëse edhe sot e kësaj dite ish-terroristët vazhdojnë të vuajnë dënimin nëpër burgjet gjermane.

Drejtuesja e të ashtuquajturit brezi i dytë i RAF-it, Brigite Monhaupt, pritet sipas vullnetit të prokurorisë të lirohet me kusht. Si rrjedhojë historia e kësaj organizate ka dalë sërish në qendër të vëmendjes së debatit politik në Gjermani.

Një gjë nuk i ka munguar Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe - vetëdija për të motivuar ideologjikisht gatishmërinë për luftë të dhunshme kundër Republikës Federale, institucionevetë saj dhe rendit shoqëror. Prej kësaj ka mbetur një gjurmë mbi 20 vjeçare e përgjakshme, me emrat e së paku 30 njerëzve të vrarë, të cilët ranë viktimë e sulmeve të terroristëve gjermanë dhe grupeve arabe simpatizuese me ta.

Fillimet e saj historia e RAF-it i ka në vitet 60-të. Në prill 1986 Andreas Bader dhe Gudrun Enslin i vunë zjarrin një magazine shitjeje në Frankfurt. Ky veprim, që ata deshën ta konsiderojnë si një shenjë solidariteti me lëvizjen studentore kundër luftës në Vjetnam, ishte për prokurorinë "tentativë për vënie zjarri me rrezik për jetën e njerëzve". Për këtë arësye ata të dy u dënuan, por u liruan para kohe, ose më saktë u nxorrën me dhunë nga burgu.

Andreas Bader u lirua përmes një aksioni të Ulrike Meinhofit. Që ty dy nisën kësisoj themelimin e RAF-it. Kjo organizatë e drejtonte "luftën e saj të armatosur" kundër "sistemit imperialist" të republikës federale, kundër NATO-s dhe "kompleksit ushtarak industrial".

Sipas perceptimit të RAF-it synohej që kundër këtij sistemi të zhvillohej "luftë e armatosur" në formën e solidarizimit me lëvizjet ilegale në vendet në zhvillim. Në pejsazhin botëror Republika Federale bënte pjesë në "shtetet imperialiste", popullsia e të cilave dominohej prej një "sistemi fashist". Por popullsia e këtyre shteteve kurrësesi nuk shprehte simpati ndaj RAF-it madje edhe pjesa më e madhe e spektrit të majtë e refuzonte terrorizmin.

Megjithatë RAF i përmbahej linjës së vet. Arrestimi i Bader, Meinhof dhe Enslin në verën e vitit 1972, të cilët u bënë përgjegjës për një seri sulmesh me bomba dhe zjarr e paralizoi RAF-in.

Nga ky çast nisi gjenerata e dytë e RAF-it e cila kishte ndër të tjera si qëllim edhe lirimin e shokëve të idealit. Në vitin 1975 pati një tenativë që përmes një sulmi terrorist ndaj ambasadës gjkermane në Stokholm të ushtrohej presion për lirimin e shokëve të dënuar. Dy diplomatë gjetën si pasojë vdekjen.

Kulmin terrorizmi i RAF-i e arriti dy vjet më vonë. Në pranverën e vitit 1977 u vra Prokurori i përgjithshëm Sigfried Bubak me dy shoqëruesit e tij, në verën e po të njëjtit vit terroristët qëlluan për vdekjen kryetarin e kryesisë së Dresdner Bankës, Jyrgen Ponton. Shkallëzimi ndodhi pak javë më vonë. Në shtator në Köln u rrëmbye presidenti i shoqatës së sipërmarrësve, Hans-Martin Shleier. Shoferi i tij dhe tre policë u vranë. Terroristët dhe udhëheqësja e tyre Brigite Monhaupt ndiqnin me rrëmbimin e Shleierit vetëm një qëllim: lirimin e njëmbëdhjetë shokëve të idealit.

Një luftë nervash, që zgjati me javë të tëra nisi ndërkohë që shteti demonstroi ashpërsinë. Kjo u pasua nga rrëmbimi nga një grup palestinez të një avioni të Lufthansës "Landshut" si mbështetje ndaj kërkesës së rrëmbyesve të Shleierit. Ish-kancelari socialdmeokrat Helmut Shmid, e argumentoi këmbënguljen e qeverisë me atë, se synohej të ndaloheshin të njëjtët njerëz të vazhdonin rrëmbimet dhe vrasjet."

Avioni "Landhut" pas fluturimit kuturu për pesë ditë resht, ndërkohë që u vra edhe kapiteni, u lirua prej një njësie speciale të mbrojtjes kufitare gjermane. Shleier megjithatë mbeti në duart e terroristëve dhe një ditë më vonë u gjend i vrarë. Terroristët e dënuar në burgun e Shtamheimit në Shtutgart Bader, Enslin dhe Jan-Karl Raspe kishin kryer ndërkaq vetëvrasje.

Në vitin 1977 kaloi mori fund edhe kulmi i përgjakshëm i terrorizmit të RAF-it. Pasoja ishte që shteti ashpërsoi me mirëkuptimin e plotë edhe të popullsisë kodin dhe procedurën penale. Gjithashtu u krijua përkohësisht një klimë shoqërore, në të cilën intelektualët si Heinrih Bël, që u angazhuan për më shumë maturi në ragimin ndaj terroristëve, u konfrontuan me dyshimet se kishin qenë simpatizantë të RAF-it.

Por këta vazhdonin edhe më tej. Gjenerata pasuese e RAF-it ishte përgjegjëse për vrasjen e menaxherit të Siemensit, Karl-Heinzz Beckurts në vitin 1986 dhe zëdhënësit të Deutsche Bankës, Alfred Herrhauzen, në vitin 1989. Në këto aksione kanë qenë të involvuar Horst Ludvig, i vrarë në Vjenë më 16 shtator 1999 si dhe shoqëruesja e tij Andrea Klump, e cila u arrestua. Në prill të vitit 1992 RAF-i deklaroi, se heq përkohësisht dorë prej sulmeve kundër përfaqësuesve të ekonomisë dhe të shtetit, një deklaratë kjo që në pranverën e vitit 1998 u pasua me deklarimin tjetër, se tashmë RAF është një kapitull i "historisë".

  • Data 23.01.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxr
  • Data 23.01.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxr