1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane intensifikon përpjekjet për lirimin e dy gazetarëve të arrestuar në Iran

14 Tetor 2010

Qeveria gjermane ka konfirmuar se dy gazetarët që u arrestuan në Iran janë gjermanë. Dy reporterët u arrestuan të hënën (11.10.) në veriperëndim të vendit, sepse po hulumtonin pa leje.

https://p.dw.com/p/PdcJ
Fotografi: picture alliance/dpa

Qeveria gjermane ka kontakuar qeverinë në Teheran për të mundësuar lirimin e dy gazetarëve gjermanë. Ministri i jashtëm Westerwelle konfirmoi se qeveria gjermane ka dërguar ndërkohë një delegacion në Iran: "Ne po punojmë në mënyrë intensive për ta sqaruar sa më parë këtë çështje. Bëhet fjalë për dy gjermanë. Ata janë arrestuar. Tani po përpiqemi të kontaktojmë këta qytetarë."

Por ministria e Jashtme gjermane duhet të dijë më tepër seç deklaron. Fundja Westerwelle tha se ka folur ndërkohë me homologun e tij iranian Manusher Mottaki: "Iu luta që të angazhohet personalisht për këtë çështje dhe dua t'ju siguroj se ne po ndërmarrin çdo përpjekje diplomatike për të liruar sa më parë dy qytetarët gjermanë, në mënyrë që ata të kthehen në Gjermani."

Dy gazetarët gjermanë punojnë për gazetën "Bild am Sonntag"

Dy gazetarët, emrat e të cilëve nuk dihen ende, kanë intervistuar në Iran djalin e Sakineh Mohammadi Ashtianit, e cila u dënua me ekzekutim me gurë për tradhëti bashkëshortore. Sipas informacioneve të para, dy gazetarët po punonin për gazetën gjermane "Bild am Sonntag". Hendrik Zörner është zëdhëns i Shoqatës gjermane të gazetarëve: "Ne kontaktuam menjëherë gazetën Bild am Sonntag. Por ata thanë se nuk munden ende ta konfirmojnë informacionin se dy gazetarët po punonin për ta. Nga ana tjetër, kjo gazetë u shpreh se nuk mund të pranojë ende as të kundërtën. Pra ende nuk dimë asgjë të saktë."

"Qeveria gjermane do të jetë e sukssesshme"

Zörner është i bindur se qeveria gjermane do të jetë e suksesshme. Qeveria iraniane i akuzon gazetarët gjermanë se ishin duke punuar pa leje të posaçme duke shkelur kështu ligjet iraniane:

"Është e rrezikshme në rast se kanë shkuar atje pa akreditim por me leje turistike. Irani nuk është vend i lirë dhe përpiqet tashmë prej vitesh t'i bllokojë gazetarët në punën e tyre. Ata që kapen duke punuar, dhe kanë hyrë në vend si turistë, rrezikohen shumë."

Organizata "Reporterë pa kufinj" shpjegoi ndërkohë se nuk ka rëndësi, nëse këta gazetarë ishin akreidtuar si të tillë apo jo. Qeveria iraniane shkeli me këtë veprim të drejtën e njeriut për lirinë e mendimit dhe shtypit, thuhet në deklaratën e saj për shtyp.

Autorë: Matthias Bölinger/ Sonila Sand

Redaktoi: Esat Ahmeti