Qeveri e re në Bullgari | Politika | DW | 16.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Qeveri e re në Bullgari

Pas dy muajsh dhe dy provash për formimin e qeverisë, sot parlamenti i Bullgarisë i dha votëbesimin qeverisë së re. Partia ish-komuniste Bullgare Socialiste dhe partnerët e deritashëm të koalicionit qeverisës- Lëvizja Nacionale Simeoni i Dytë dhe Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e minoritetit turk krijuan një koalicion të madh për "integrimin evropian, rritjen ekonomike dhe përgjegjësinë sociale"

Parlamenti Bulgar

Parlamenti Bulgar

Programi qeveritar i kabinetit të ri ishte gati dhe i padiskuteshëm që muajin e kaluar. Po përse u zgjatën partnerët e koalicionit kaq shumë me formimin e një qeverie të re, në një kohë kur ishte e qartë se vendi ka nevojë urgjente për një pushtet ekzekutiv të gatshëm të veprojë? Ishin lufta për pushtet dhe përpjekja për të fituar poste, të cilat e zvarritën martesën e detyruar të tri partive më të forta në vend. Socialistët kërkonin me cdo kusht që kryetari i tyre Sergej Stanishev të bëhej kryeministër- gjë të cilën më në fund e arritën, kurse Lëvizja Nacionale Simeoni i Dytë druhej se mos shpërbëhej, nëse kryeministri i deritashëm dhe ish-mbreti Simeon Saksoburgotskij nuk e mban postin e tij, ndërsa partia e minoritetit turk ishte e interesuar për disa poste ministrash, të cilat mund të sillnin përparësi financiare për klientelën e saj.

Kështu që rreth pyetjes "kush do të ngarkohet prej presidentit të shtetit me formimin e qeverisë" u zhvillua një cirk i rrallë politik. Kjo në një kohë, kur të gjithë të prekurit e dinin se një dështim eventual, i pasuar nga zgjedhje të pashmangshme parlamentare, jo vetëm do të shtynin me një vit anëtarësimin e Bullgarisë në BE, të caktuar për më 1 janar 2007. Ato do t'i sillnin partisë populiste të djathtë, ATAKA edhe një dyfishim të vendeve parlamentare. Pasi Simeon Saksoburgotski hoqi dorë nga kandidatura e tij për kryeministër, përkohësisht u hoq dorë nga snobizmat dhe intrigat dhe u gjet një zgjidhje e arsyeshme për Bullgarinë.

Sepse rrethanat janë tepër të papërshtatshme për lojëra të tjera politike ose për të shkuar sërish për votime. Reforma juridike duhet të përfundojë deri në shtator. Përparime të shpejta Bullgarisë i duhen edhe në sektorë të tjerë, për tëw marrë në fund të tetorit një raport pozitiv të Komisionit Evropian dhe për t'u anëtarësuar sipas parashikimit në BE. Në aspektin makroekonomik, Bullgaria mund të llogarisë një rritje të mirë ekonomike prej rreth 8% për vitin 2005, investime masive në botën e jashtme, inflacion të ulët dhe papunësi në rënie. Por qytetarit mesatar në Bullgari i duhet të luftojë ende fort kundër mizerjes ekonomike.

Pajisur me një shumicë të rehatshme mandatesh në Parlament, kabineti i 39 vjecarit Sergej Stanishev ka shanse të mira për të vënë në rrugë një politikë të balancuar dhe të orientuar në interesat e popullit. Kjo është më lehtë ta thuash sa ta bësh. Armiqësitë midis partnerëve të koalicionit muajt e fundit mund të tregojnë shpejt pasoja. Kjo jo vetëm sepse në disa cështje përmbajtësore-sic janë taksat dhe subvencionet- përfytyrimet e partnerëve të koalicionit ndahen. Por edhe për shkak të armiqësive personale brenda koalicionit dhe të qendrimit kryesisht negativ të bullgarëve ndaj kësaj martese elefantësh.

Nëse qeveria do të arrijë t'i plotësojë shpejt kërkesat e Brukselit dhe ta fusë vendin sipas planit, më 1 janar 2007 në BE, do të kishim të bënim me kabinetin e tretë radhazi pas 1989-ës, që përfundon një mandat të plotë. Kjo do të ishte një shenjë normalizimi dhe stabiliteti në Ballkanin përndryshe të paqetë.

  • Data 16.08.2005
  • Autor Aleksandar Andreev
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqti
  • Data 16.08.2005
  • Autor Aleksandar Andreev
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqti