Protesta e sindikatave në Gjermani & Memuarët e Gerhard Shrëderit | Studimi në Gjermani | DW | 23.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Protesta e sindikatave në Gjermani & Memuarët e Gerhard Shrëderit

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë një nga temat kryesore: protestën e sindikatave në fundjavë në Gjermani kundër politikës së qeverisë së koalicionit të gjerë të kristiandemokratëve dhe socialdmeokratëve. Në qendër të vemëndjes së analistëve është edhe publikimi i memuareve të ish-kancelarit Gerhard Shrëder.

Në gazetën "Süddeutsche Zeitung" shkëpusim një citat nga komenti lidhur me protestat e sindikatës në fundjavë: "Shoqëria gjermane vazhdon të stoliset me predikatin "shoqëri e rendimenteve të larta", por ky është vetëm një iluzion. Nuk është më e vërtetë, që kushdo mund t´ia dalë mbanë, mjafton të jetë i zellshëm dhe me dhunti. Nëse miliona njerëz jetojnë në skajet e shoqërisë dhe dalin në pah vetëm kur është fjala për politikë, kur ata shkëputen dhe kur shndërrohen në mosvotues të përhershëm - atëherë varfëria relative ka si pasojë një demokraci relative. Politika sociale si rjedhojë fiton një peshë të re dhe të veçantë: ajo kthehet në politikë bazë të demokracisë", nënvizon "Südddeutsche Zeitung".

Në të përditshmen "Mittelbayerische Zeitung" që del në Regensburg lexojmë: "Siç duket protestat e 200.000 sindikalistëve në Berlin, Dortmund, Frankfurt, Mynih dhe Shtutgart kundër kursit të padrejtë të reformave të koalicionit të madh në fundjavë s´do të kishin tërhequr vëmendjen në detin e lajmeve, nëse s´do të kish qenë e hapur grindja për shtresat e varfëra imagjinare. Pa këtë s´do të ekzistonte as frika për ndarjen dramatike të shoqërisë në fitues dhe të humbur, në pjesëmarrës në jetën shoqërore dhe të përjashtuar prej saj. Aleanca qeverisëse kuq e zi ka mbi shpatulla një debat social, për të cilin ajo nuk është e përgatitur. Edhe më keq akoma, ajo s´është në gjendje t´u përgjigjet pyetjeve zhbiruese të këtij debati", komenton "Mitteldeutsche Zeitung".

Nga komenti i "Manheimer Morgen" mbi të njëjtën temë shkëpusim: "Ndërkohë frika për rënien sociale ka përfshirë edhe ato shtresa, që nuk janë interesuar kurrë për parrullat e sindikatave. Largimi prej partive popullore dhe rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje janë shprehje e pasigurisë në rritje. Ndonëse pakënaqësia i ngarkohet politikës së reformave të Berlinit, gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë, se globalizimi po lë gjurmët e veta. Sado që në një sfond të tillë janë si të padukshme rrogat disa milionëshe për menaxherët e koncerneve, një ndarje e të ardhurave nga lartë poshtë nuk do ta ndalte procesin e globalizimit. Përgjigja mund të jetë vetëm: reforma të mëtejshme, investime për arsimin dhe shkencën, rritje e produktivitetit përmes novacioneve. Në këtë konkluzion arrijnë edhe vet sindikatat", shkruan "Manheimer Morgen".

Lidhur me publikimin e pjesshëm të memuareve të ish-kancelarit Gerhard Shrëder gazeta "Express" e Këlnit shkruan: "Tani erdhi koha: autobiografia e Gerhard Shrëderit e pritur me interes do të dalë nëpër librari. Një vit pas tërheqjes nga politika socialdemokrati i emërtuar si kancelari-basta dëshiron të skicojë përfytyrimin e tij të historisë. Çasti është mjaft i volitshëm: Koalicioni i gjerë qeverisës nuk po avancon me reformat dhe është zhytur në një krizë të thellë. Popullariteti në fillim shkëlqyes i kancelares Angela Merkel është në rënie. S´është habi pra që Shrëderi me bujën për librin e tij po hedh dozat e atakimit ndaj Merkelit dhe shefit të kristiansocialëve Shtojber. Ai e ka të sigurt se fiton vëmendjen e plotë në media. Ai mund të shtriqet rehat në kolltukun e tij dhe të shohë, se si rritet xhiroja e shitjes së lirbit të vet. Por pavarësisht nga të gjitha këshillat e tij të mira, Shrëderi duhet të kujtohet, se është e lehtë që t´i kritikosh politikanët aktivë për gabime nga pozita e politikanit në pension, sikur të mos jetë edhe ai vet që ka gabuar shumë në kohën që ka qenë në pushtet", tërheq vëmendjen "Express".

Ndërsa gazeta "General Anzeiger" e Bonit nënvizon: "Ai është i shpejtë. Asnjëherë ndonjë ish-kancelar nuk ka arritur kaq shpejtë të nënshkruajë kontrata të mira: me njeriun e mediave në Zvicër Ringier, tek tregtuesi i fjalimeve në Nju Jork Harri Valker, me bankën investuese Rotshild dhe tek njeriu i gazit Putin. Ndërsa tani del edhe libri mbi kujtimet e tij si kancelar. 544 faqe mbi Xhorxhin dhe Dorisin, mbi Oskarin dhe Angelën: por deri tani asgjë nuk dimë, nëse do t´ia vlejë një vështrim përtej vrimës së çelësit. Një gjë e tillë është si thikë me dy presa, ndoshta pas gjithë këtyre publikimeve paraprake njerëzit mund të arrijnë në përfundimin që nuk u duhet ta blejnë librin", komenton "General Anzeiger".

  • Data 23.10.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArnL
  • Data 23.10.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArnL