1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan i ri për decentralizimin në Kosovë

Bekim Shehu/Prishtinë5 Gusht 2005

Qeveria e Kosovës vendosi të hartojë një plan të ri për decentralizimin e pushtetit vendor. Kjo për faktin që zbatimi i planit të mëparshëm ka hasur në probleme të shumta në terren sidomos në vendbanimet më shumicë serbe siç është Graçanica

https://p.dw.com/p/Aqtm
Parlamenti në Prishtinë
Parlamenti në PrishtinëFotografi: DW


Mospajtimet e shumta rreth planit të qeverisë për decentralizmin, si edhe vërejtjet ndërkombëtare për vonesën e reformimit të pushtetit lokal në Kosovë kanë bërë që plani i qeverisë së Kosovës për këtë proces të cilësohet i dështuar. Problem tjetër në terren është edhe emërimi i zyrtarëve serb për pilot- komunat me shumicë serbe. Megjithatë qeveria e Kosovës i është futur punës për hartimin e një plani të ri për decentralizimin i cili pritet të ketë edhe përkrahjen e fuqishme të UNMIK-ut. Ky njoftim u bë i ditur pas një takimi që zhvilluan ushtruesi i detyrës së kryeadministratorit të Kosovës, Lari Rosin me kryeministrin, Bajram Kosumi. Asnjëri nga udhëheqësit e lartë nuk u prononcuan për media, mirëpo sipas zëdhënësit të qeverisë, Daut Dauti, në mbledhjen e radhës qeveria e Kosovës, pritet t'i japë dritën e gjelbër planit të ri të decentralizimit, detajet e të cilit zyrtarisht nuk janë të njohura.
Zoti Dauti, nuk u shpreh, nëse kundërshtimi i fundit i Beogradit zyrtar për planin e Prishtinës për decentralizimin, do të jetë shkas për hartimin e një plani të ri. Shefi i qendrës kordinuese serbe për Kosovën, Nebojsha Coviq, ndërkaq, dy ditë më parë u deklarua se urdhëresa administrative e shefit të UNMIK-ut, për fillimin e zbatimit të planit të qeverisë së Kosovës për decentralizimin dëmton interesat e serbëve të Kosovës. Sidoqoftë, burime jozyrtare brenda qeverisë së Kosovës thonë, se problemet që janë paraqitur në planin e mëparshëm të qeverisë kanë qenë të shumta dhe në këtë mes është pasuar edhe një kerkesë shtesë e përfaqësuesve serb që Graçanica e paraparë të jetë komunë e re, në vete të përfshijë edhe disa fshatra përreth të banuara me shqiptarë që do të thotë zgjerim të zonës kadastrale për këtë vendbanim. Nuk jepen detaje tjera, mirëpo thuhet, se edhe administrata ndërkombëtare është përfshirë aktivisht në hartimin e planit të ri të qeverisë së Kosovës për decentralizmin. Ajo që merret vesh se nuk do të ketë ndryshim nga plani i vjeter i qeverisë është se edhe më tutje do të vazhdohet vetëm me pesë pilot projekte, që përfshijnë dy vendbanime me shumicë serbe dy më shumicë shqiptare dhe një shumice turke. Reformimi i pushtetit lokal në Kosovë dhe jetësimi i tij në terren, tash për tash është vëne në axhendën ndërkombëtare proces ky i cili është edhe kushti kryesor për vendin në mënyrë që në vjeshtë të mund të fillohet me bisedimet për statusin të Kosovës.