1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman për Ballkanin

17 Janar 2005
https://p.dw.com/p/Arx9
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del PonteFotografi: AP

Në gazetën Frankfurter Allgemiene Zeitung, numri i datës 15 janar, në faqe 6, nën kryetitullin "Tribunali hesht" lexojmë:

"Javët e para të vitit të ri do të jenë në Beograd dhe Prishtinë edhe më të qarta se më parë kur bëhet fjalë për të kaluarën e afërt: në fund të dhjetorit 2004 kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi Karla del Ponte ka nënshkruar aktakuzat e saj të fundit. Sipas një vendimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të tjera nuk do të ketë në mënyrë që Tribunali të mund të përfundoj punën e tij më së largu në fund të vitit 2010. Ndërkohë mediat dhe disa politikanë në Beograd dhe Prishtinë spekulojnë çdo ditë se me kënd kanë të bëjnë aktakuzat e fundit të Tribunalit të Kombeve të Bashkuara.

Siç duket para gjykatësve në Hagë për shqyrtim ndodhen gjashtë aktakuza të cilat për disa ditë duhet të nisen për në Ballkan. Nganjëherë kjo bëhet krejt fshehurazi në mënyrë që qeveritë dhe autoritetet përgjegjëse të shfrytëzojnë efektin e befasisë dhe të arrestojnë të kërkuarit nga Tribunali. Megjithatë në të kaluarën kjo nuk ka funksionuar gjithnjë në Serbi pasi që të kërkuarit merrnin me kohë paralajmërimet nga kolegët e tyre të vjetër nga aparati policor, për të kaluar në ilegalitet. Disa të tjerë lajmërohen me kohë për të shfaqur gatishmërinë për të shkuar vullnetarisht në Hagë në mënyrë që të kenë mundësinë e pritjes së gjykimit në liri.

Paqartësitë rreth kandidatëve të fundit për Tribunalin e Hagës kanë bërë që nga rajoni të ketë reagime pothuajse të përditshme. Qeveria e Kosovës e pa të nevojshme javën e kaluar që të përgënjeshtroj një njoftim televiziv serb sipas të cilit kundër kryeministrit të Kosovës është ngritur një aktakuzë.

Nëse kundër Ramush Haradinajt është ngritur në të vërtetë aktakuza atëherë trupa paqësore e Kosovës KFOR dhe administrata e Kombeve të Bashkuara mund të kenë para vetes disa ditë jo të qeta: Përfaqësuesi në Beograd i Grupit ndërkombëtar të krizave tha se nuk është me rëndësi se si do të reagonte Haradinaj por si do të reagonin shqiptarët e Kosovës.

Sipas informatave tjera ndër të akuzuarit bën pjesë edhe ish-kryeshefi i ushtrisë jugosllave, Perishiq. Nëse kundër tij me të vërtetë është ngritur aktakuza atëherë një brengë më shumë do të ketë edhe kryeministri serb Vojisllav Koshtunica. Nëse ai bashkëpunon me Tribunalin e Hagës mund të vihet në pikëpyetje vet mbijetesa e qeverisë e cila varet në parlament edhe nga qëndrimi i Partisë Socialiste me kryetar nderi, ish-presidentin Millosheviq.

Sidoqoftë, Tribunali i Hagës vazhdon të hesht për të gjitha këto. Prej entit të zonjës Ponte aktualisht nuk mund të pritet ndonjë informacion shtesë lidhur me këto aktakuza. Publiku do të informohet atëherë kur të akuzuarit do të jenë dërguar në Hagë", lexojmë ndër të tjera në Frankfurter Allegemeine Zeitung.