1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit evropian me këto tema: Zhvillimet në Ukrainë dhe kongresi i kristjandemokratëve gjermanë

12 Dhjetor 2004

Ndër temat kryesore të cilat kanë preokupuar opinionin e mediave gjatë javës së kaluar ishte gjendja në Ukrainë si dhe kongresi i partisë kristjandemokrate të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/Arxb
Fotografi: Bilderbox

Lidhur me kompromisin e arritur në parlamentin e Ukrainës për përsëritjen e zgjedhjeve, "Neue Züricher Zeitung" shkruan: "Që tani mund të konstatohet se mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale prej SHBA dhe BE si dhe ndërmjetësimi i përsonaliteteve të shumta evropiane në Kiev, kanë bërë të mundëshëm suksesin më të madh deri tani të opozitës në Ukrainë. Brukseli duhet të merret edhe më seriozisht me mundeësitë e hapjes së një perspektive për anëstarësimin e Ukraniës në këtë organizëm, të paktën në shtigje të gjata. Siç dihet, nga shumë rajone të tjera të bllokut lindor, lëvizjet dhe shpërthimet demokratike nuk do të thonë edhe një kontinuitet automatik demokratik ose ndonjë mirëqenje të përgjithëshme".

Zhvillimeve në Ukrainë dhe rolit të Bashkimit Evropian ndaj këtij vendi i referohet edhe gazeta polake "Rzheshpospolitia": "Udhëheqësit e BE të cilët takohen një javë para balotazhit vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, mund t'i japin një kontribut historik zhvillimeve në vendin tonë fqinjë. Në qoftë se BE i premton Ukrainës një vend në gjirin e këtij organizmi, me kusht vazhdimin e proceseve dhe reformave të filluara demokratike... Por ky vendim nuk pritet".


Temë tjetër e komentuar në shtyp gjatë javës ishte kongresi i Partisë Kristjandemokrate gjermane, CDU, ku Angela Merkel rikonfrimoi pozicionet e saj si lidere e partisë dhe opozitës aktuale. Kësaj çështje i refreohen edhe shumë gazeta edhe jashtë Gjermanisë.

"Tages Anzeiger" e Zvicrës shkruan: "CDU-ja me një intenzitet të papritur po lufton gjeneratën kinse të papërgjegjëshme të 68-tës. Mirëpo kjo gjeneratë e sulmuar prej konservatorëve, as për së afërmi nuk e ka përfunduar luftën e saj ideologjike. Ai që do të luftojë kundër kiçit multikulti, futet në një ring pa kundërshtar. Por në qoftë se në të majtë nuk shihet asnjë kundërshtar, mesazhi mund të jetë i drejtuar vetëm nga e djathta. Pra, do të thotë, se paraqitja e fundit ka për synim mobilizimin edhe më të madh të zgjedhësve konzervatorë në këtë luftë".

"Die Presse" e Austrisë supozon se rizgjedhja e Angela Merkel në postin e kryetares së CDU-së, do të thotë njëheri se ajo do të jetë edhe kundërkandidatja e Gerhard Shrëderit për postin e kancelarit, në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, të cilat zhvillohen në vitin 2006. "Janë shkaqe të tjera ato të cilat nuk e lejojnë partinë bavareze kristiansociale, CSU që qysh tani të pranoj Angela Merkel si kandidate për kancelare. Partia simotër ka për synim që sa më shumë që është e mundur të ngrejë cmimin e mbështetjes, siç ishte rasti i kompromisit në reformën e shëndetësisë si dhe lidhur me lëshimet tjera të cilat priten. Mirëpo Edmund Shtojber mund ta varrosë shpresën për një shans të dytë në luftën për postin e kancelarit". Kështu pohon "Die Presse".

Ndërsa gazeta e Belgjikës "De Morgen" shkruan: "Pas rizgjedhjes në postin e kryetares së partisë, Angela Merkel angazhohet për një patriotizëm më të fortë, ndonëse kjo fjalë nuk është tepër e dashur për shumicën e gjermanëve... Ai që në Gjermani i frynë me plot fuqi bririt të patriotizmit, rrezikon të vie në ujërat e neonacizmit dhe skinhedësve të djathtë ekstremistë. Shtrohet pyetja nëse kjo do të ketë ndonjë influencë tek zgjedhësit? Festimi në kongres mund të shndërrohet në një përçarje ku CDU-ja mund të jetë edhe viktima më e madhe".

Edhe një koment i gazetës spanjolle "El Pais": "Në fjalimin e saj programor, Angela Merkel theksonte se Gjermania duhet t'i kthehet vlerave të saja tradicionale, siç janë familja, përgjegjësia dhe patriotizmi. Ra në sy edhe fakti se Merkel fliste shumë për Gjermaninë dhe pak për Evropën. Për shumë partnerë evropianë ky mund të jetë një sinjal, se në prag të zgjedhjeve të ardhëshme, patriotizmi dhe interesat kombëtare do të jenë në qendër të vëmendjes tek partitë më të mëdha gjermane, siç janë Partia Kristiandemokrate dhe Partia socialdemorkate".