1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Evropian bëri sot thirrje për vazhdimin e procesit të ratifikimit të Kushtetutës së BE

Bernd Rigert8 Qershor 2005

Pas refuzimit të kushtetutës evropiane në Francë dhe në Hollandë, parlamentarët e fraksioneve më të mëdha bënë sot thirrje për vazhdimin e procesit të ratifikimit. Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso u kërkoi shteteve të BE që të gjejnë në takimin e nivelit të lartë javën e ardhshme një zgjidhje politike

https://p.dw.com/p/ArEA
Parlamenti Evropian në Strasburg
Parlamenti Evropian në StrasburgFotografi: EU

Në një debat parimor, Baroso bëri thirrje që pas "jo"-së për kushtetutën e BE, kjo disfatë të shihet si shans. BE nuk mund të vazhdojë të punojë njësoj si deri tani, por nuk duhet të qëndrojë as në vend. Një rrugë e tretë, një konsensus i ri politik duhet të gjendet në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive javën e ardhshme. Një alternativë ndaj BE nuk ka, tha Baroso:

"Nuk ka një plan B. Ai nuk ka ekzistuar kurrë. Ndoshta do të ishte më mirë që të ndiqnim një plan D. D si demokraci dhe dialog. Plan D do të thotë që të dëgjojmë mendimin e njerëzve."

Hoze Barroso dhe kryetari i radhës i BE, ministri luksemburgas për Evropën, Nikolas Shmidt kërkuan rënie dakord për buxhetin kuadër të BE të viteve 2007 deri 2013. Shefat e shteteve dhe të qeverive mund të jepnin me këtë një dëshmi për aftësinë e tyre të veprimit.

Nëse dhe si do të vazhdohet procesi i ratifikimit të kushtetutës në 13 shtetet e tjera të BE, që nuk kanë votuar ende, kjo është e diskutueshme. Britania e Madhe e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar referendumin e saj. Hans Georg Pötering, kryetar fraksioni i konservatorëve tregoi mirëkuptim për këtë:

"Ndoshta kjo është zgjidhja më e drejtë, që të kesh një fazë reflektimi dhe t'i ndalosh për një kohë të caktuar referendumet."

Socialistët u angazhuan në parlament për vazhdimin e ratifikimit. Cdo shtet anëtar duhet ta vendosë këtë për veten e tij. Marrëveshja për kushtetutën do të shkojë tek njerëzit në një mënyrë apo në tjetrën, thotë Martin Shulc, kryetar fraksioni i socialistëve. Sepse përndryshe, në BE nuk mund të pranohen as shtetet e Ballkanit dhe as Turqia, synim që mbetet:

"Që të japësh një premtim për zgjerim, pa krijuar bazën për të, dhe kushtetuta duhet të ishte kjo, është gjithashtu e papërgjegjshme. Ne nuk mund të kërkojmë reforma dhe procese transformimi nga vendet e tjera kur vetë nuk jemi në gjendje të bëjmë reforma"

Të gjithë oratorët kërkuan një debat të ndershëm për synimet dhe kufijtë e Evropës. Një debati të tillë i wshtë bërë bisht për një kohë të gjatë. Njerëzve u duhen eleminuar frikërat dhe favoret BE t'i shpjegohen më mirë. Qeveritë nacionale nuk duhet të bëjnë përgjegjës për të gjitha mossukseset e tyre "ata në Bruksel" dhe të gjitha sukseset t'i veshin vetes.

Hoze Barroso paralajmëroi që të mos vazhdojë për një kohë të gjatë kqyrja e interesave vetjake. BE duhet t'u përgjigjet angazhimeve ndërkombëtare:

"Ne ju përmbahemi synimeve tona të mijëvjecarit. Ky është një sinjal për një Evropë, që të mos mbyllet, por të qëndrojë e hapur dhe solidare për të gjithë botën."

Shefat e shteteve dhe të qeverive të BE do të diskutojnë në takimin e tyre të nivelit të lartë edhe për financimin e ardhshëm të ndihmës në zhvillim dhe përgjysmimin e varfërisë në botë deri në vitin 2015, për të ashtuquajturat synime të mijëvjecarit.