Opozita gjermane kërkon dorëheqjen e ministrit të jashtëm Shtajnmajer | Gjermania | DW | 23.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Opozita gjermane kërkon dorëheqjen e ministrit të jashtëm Shtajnmajer

Kritikat ndaj ministrit të jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer janë shpeshtuar për shkak të rolit të tij në luftën anti-terror. Opozita kërkon dorëheqjen e socialdemokratit në rast se konfirmohen akuzat se ai është bashkëpërgjegjës për fatin e gjermano-turkut Murat Kurnaz

Turko-gjermani Murat Kurnaz

Turko-gjermani Murat Kurnaz

24 vjeçari Kurnaz është kthyer në verën e vitit 2006 në Gjermani, pas një qëndrimi gati pesëvjeçar në kampin amerikan të Guantanamos në Kubë. Supozohet që lirimi i mëhershëm i Kurnazit ka dështuar si pasojë e sjelljes së qeverisë së atëhershme gjermane. Shtajnmajer ka qenë koordinator i shërbimeve të fshehta.

Avokati i ish të burgosurit të Guantanamos Murat Kurnaz, Bernhard Docke, ripërsërit kritikat e tij ndaj ish-qeverisë gjermane. Për gazetën 'Rheinische Post' ai tha se kthimi i mandantit të tij në Gjermani është shtyrë në mënyrë aktive. Nga bisedat dhe letrat e shumta ai ka kuptuar se mungonte vullneti politik për kthimin e Kurnazit në Gjermani. Bazuar në akte kjo duket si e zeza në të bardhën, tha avokati Docke.

Politikani liberal Max Stadler, kryetari nga grupimi parlamentar i Partisë Liberale në komisionin hetimor parlamentar të shërbimeve të fshehta, kritikoi përgjegjësitë e atëhershëm politik për mënyrën e sjelljes së tyre me avokatin e Kurnazit, Docke: "Qeveria federale pat vendosur përshembull atëherë që të dërgojë për hetime dy nënpunës të sigurisë në Guantanamo. Edhe pse ka qenë e ditur se zoti Docke ka qenë përfaqësues ligjor i Kurnazit, ai nuk është informuar për këtë. Ai për këtë ka marrë vesh nga shtypi".

E diskutueshme mbetet ende çështja sa konkrete ka qenë një ofertë e mundshme e amerikanëve për lirimin e Kurnazit që në vitin 2002. Kryetari i Komisionit hetimor parlamentar Siegfried Kauder, pas marrjes në pyetje të turkut të lindur dhe të rritur në Bremen, foli për shenja se ka ekzistuar një ofertë e tillë por nuk deshi të përmend hollësi. Në një intervistë me radion Berlin-Brandenburg Kauder tha se për tu marrë në pyetje si dëshmitarë do të ftohet edhe koordinatori i atëhershëm i shërbimeve të fshehta, sot ministër i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer. Kjo do të ndodhë nga mesi apo fundi i marsit. Opozita kërkon prej ditësh që socialdemokrati të prononcohet lidhur me akuzat se ka refuzuar kthimin e Kurnazit në Gjermani.

Për këtë nuk ka dëshmi por ka patur bisedime për një marrëveshje me kushte të caktuara, konfirmon kryetari i socialdemokratëve në komisionin hetimor, Tomas Opermann: "Ka patur një diskutim mes bashkëpuntorëve gjermanë dhe amerikanë të shërbimit të fshehtë, kjo mund të shihet edhe në akte, që zoti Kurnaz të hidhet në skenën islamike në Gjermani si spiun dhe me këtë kusht të lihet i lirë", sqaron Opermann.

Kolegu i grupimit parlamentar të Opermanit, Michael Hartman, njëkohësisht edhe nënkryetar i komisionit hetimor, ka deklaruar për Agjensinë gjermane të lajmeve se shërbimet e fshehta amerikane kanë shqyrtuar ndër të tjera në rrafshin operacional edhe opcionin për lirimin e Kurnazit.

Ndërkaq kryetari i grupimit të të majtëve në komision, Volfgang Neskovic kërkon dorëheqjen e ministrit të jashtëm gjerman Shtajnmajer nëse konfirmohen akuzat e drejtuara ndaj tij:

"Ky është një vendim thellësisht johuman, i cili sipas vlerësimit tim varësisht edhe prej asaj se si do të duken rezultatet e hetimeve do të ketë edhe konsekuenca ligjore e jo vetëm politike", sqaron Neskovic.

Ndërkohë kryetari i komisionit hetimor parlamentar Siegfried Kauder njoftoi se për shkak të akteve të klasifikuara si sekrete shtetërore, opinioni publik edhe më tej nuk do të kuptoj shumë gjëra. Sekreti mbetet sekret edhe në komision.

  • Data 23.01.2007
  • Autor Marcel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxq
  • Data 23.01.2007
  • Autor Marcel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxq