1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita daneze kërkon sqarime për qëndrimin e qeverisë

Regina König22 Shkurt 2006

Kryeministri danez Rasmusen mori vendim për organizimin e një fushate të qëllimshme mediatike vetëm pasi bojkotimi i mallrave daneze nga bota arabe filloi të shfaqte pasoja serioze për ekonominë e vendit.

https://p.dw.com/p/ArC0
Kryeministri danez në takim me ambasadorët e vendeve muslimane
Kryeministri danez në takim me ambasadorët e vendeve muslimaneFotografi: AP

Pas qetësimit të gjendjes së krijuar prej botimit të karikatuarave të profetit Muhamet, partitë opozitare në Danimarkë filluan me kritikat ndaj mënyrës që përdori qeveria për manaxhimin e krizës. Por ato nuk kishin guxuar ta hapnin shumë gojën, kur kryeministri i vendit Anders Fogh Rasmussen, iu përgjigj me forcë akuzave me argumentin tani duhet të shohim përpara dhe jo prapa.

"Tani duhet t'i përqëndrojmë forcat tona për gjetjen e zgjidhjeve që i duhen Danimarkës për shkak të raporteve të krijuara me botën islamike. Diplomatë dhe nëpunës së lartë të shtetit po punojnë ditë e natë për këtë. Ne nuk duhet që ta rëndojmë punën e këtij grupi duke filluar me hetime se kush dinte çfarë dhe kur." - tha Rasmussen.

Por sidoqoftë një gjë do të ishte interesante të mësohej. Pse kryeministri danez i barazoi me zero paralajmërimet e ambasadorëve të vendit të tij, të cilët kishin propozuar ndjekjen e një kursi më diplomatik me përfaqësuesit e vendeve myslimane. Rasmuseni mori vendim për startimin e një fushate të qëllimshme mediatike vetëm pasi bojkotimi i mallrave daneze filloi të shfaqte pasoja serioze për ekonominë e vendit. Në takimin e tij të përjavshëm me shtypin Rasmusseni shprehu në emër të qeverisë daneze keqardhjen, që muslimanët e ndjenin veten të ofenduar prej botimit të karikaturave të Muhametit në "Jyllands-Posten". Përpara kësaj konference Rasmusseni ishte distancuar personalisht prej karikaturave të tilla, por kishte hedhur poshtë në mënyrë kategorike, që për një gjë të tillë të distancohej edhe qeveria.

Tema e botimit të karikaturave të Muhametit është zhdukur prej kryeartikujve të gazetave daneze, por firmat daneze po i ndjejnë shumë pasojat në vendet myslimane. Këto firma po përballen tani edhe me një front tjetër. Gazeta "Jyllands-Posten" njoftonte se firma të ndryshme daneze kishin nënshkruar për vite të tëra deklarata me përmbajtje armiqsore ndaj Izraelit. Me sa duket nënshkrimi i deklaratave të tilla, apo dhënia e garancive se ato nuk do të përpunonin lëndë të para nga Izraeli apo nuk do të ankoronin në portet izraelite, kanë qenë për disa vende arabe kusht që firmat daneze të mund të eksportonin në këto vende.

Dhoma daneze e tregëtisë dhe e industrisë u mundua t'i anashkalonte këto njoftime duke thënë se janë "marrëveshje të vjetra pa kurrfarë rëndësie". Por ambasadori izraelit në Danimarkë e sheh këtë gjë ndryshe, duke e quajtuar këtë qëndrim si të turpshëm.

E ndërkohë që kryeministri danez vazhdon të mos bëjë komente dhe dëshiron që ta pengojë me çdo kusht krijimin e një komisioni për hetimin e problemeve që lindën pas botimit të karikatuarave, nismëtari i aferës së karikaturave, redaktori për kulturën i gazetës "Jyllands-Posten" u përpoq t'u shpjegonte lexuesve të gazetës arabe "Gulf News" se cili qe shkaku që gazeta e tij botoi karikaturat e Muhametit.