Olli Rehn: "Unë jam i shqetësuar rreth klimës politike në Shqipëri"
19 Janar 2005Lufta për pushtet ndërmjet PS-së dhe PD-së duket se po vë në rrezik, ndër të tjera, edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo u pohua edhe një herë tjetër nga Komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn.
"Unë jam i shqetësuar rreth klimës politike në Shqipëri, e cila aktualisht nuk ndihmon në vënien në jetë të reformave. Ajo mund të demtojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Dhe pa një proces të rregullt zgjedhor, as që mund të flitet për nënshkrimin e marrëveshjes të asocim–stabilitetit me këtë vend" - deklaroi para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian komisioneri Rehn.
Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian është i fundit në rradhë, nga përfaqësuesit e institucioneve europiane, që e ka kushtëzuar nënshkrimin e marrëveshjes së asocimi–stabilitetit me mbajtjen si duhet të zgjedhjeve të ardhshme legjislative.
BE-ja druan se edhe zgjedhjet e këtij viti do të jenë me probleme. Prandaj Brukseli me të gjitha mjetet që ka në dorë po përsërit se organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të ardhshme legjislative do të përbëjnë «gurin e provës» në ecurinë e afrimit të Shqipërisë me BE-në. Mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve si dhe pranimi apo jo i rezultatit të tyre nga humbësi, do të jetë me rëndësi thelbësore në vlerësimet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, pra edhe për fatin e marrëveshjes së asocim–stabilitetit, - theksohet në Bruksel.