1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB-ja optimiste për garantimin e ndihmave për vendet e prekura nga tsunami - zhvillohet në Gjenevë konferenca e donatorëve

VFB11 Janar 2005

Më shumë se dy javë pas katastrofës së përmbytjeve në Azi OKB-ja organizoi në Gjenevë konferencën ndërkombëtare të vendeve donatore. Qëllimi i konferencës një ditore ishte organizimi dhe koordinimi i përdorimit të ndihmave të emergjencës dhe mbështetjes afatgjatë për rindërtimin në vendet e prekura.

https://p.dw.com/p/ArR3

Katastrofa e baticës pas tërmetit në Azi sipas OKB-së po e përball bashkësinë ndërkombëtare me një sfidë të paparë ndonjëherë. Koordinatori i misioneve humanitare të OKB-së, Jan Egeland, duke folur përpara 250 pjesëmarrësve, përfaqësues të organizatave të ndihmës dhe shteteve si dhe 35 ministra, theksoi se është i domosdoshëm konkretizimi i ndihmave: "Ne kemi nevojë të shohim kontrata të nënshkruara, të kemi më shumë para në dorë, më shumë premtime, në mënyrë që të vazhdojmë projektet e ndihmave të nisura në shkallë të gjerë edhe në gjashtëmujorin e ardhshëm."

Deri tani nga 3,4 miliardë dollarë të premtuar janë lëvruar 300 milionë ndihma shtetërore, nënvizoi me tone kritike koordinatori Egeland. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ka bërë thirrje për një ndihmë të menjëhershme prej gati 1 miliardë dollarë për gjashtë muajt e ardhshëm. Jan Egeland u tërhoqi vëmendjen pjesëmarrësve, se të mbijetuarit e katatsrofës së tsunamit që shkaktoi mbi 157 mijë viktima, do ta ndjenin veten të mashtruar nëse ndihma e premtuar nuk do të mbërrijë tek ata.

Gjermania merr pjesë me një shumë prej 50 milionë eurosh në ndihmën emergjente për zonat e shkatërruara nga tsunami në Azi. Këtë e konfirmoi në konferencën e donatorëve në Gjenevë ministrja e zhvillimit, Hajdemari-Viçorek Cojl: "Ne i kemi premtuar OKB-së, se për gjashtë mujorin e parë të këtij viti do të lëvrojmë 50 milionë euro ndihmë emergjence. Ndihma jonë është përqëndruar kryesisht në Sri Lanka dhe Indonezi", theksoi ministrja gjermane e zhvillimit. Shuma prej 50 milionë eurosh është pjesë e ndihmës afagjatë prej rreth 500 milionë eurosh që do të vërë në dispozicion Gjermania gjatë viteve të ardhëshme për rindërtimin e vendeve të prekura nga tsunami. Po në këtë kuadër Gjermania dhe Franca kanë rënë dakord për një iniciativë të përbashkët lidhur me faljen ose shtyrjen e afatit të shlyerjes së borxheve që u detyrohen këto vende aziatike Perëndimit.

OKB-ja në konferencën e donatorëve në Gjenevë u shpreh optimiste, se do të garantohet ndihma e premtuar. "Ne sot, ndoshta për herë të parë në histori do të përjetojmë që ndihma e menjëhershme për viktimat do të mbulohet plotësisht, deklaroi koordinatori i OKB-së Egeland. Nga ana e saj OKB-ja premtoi, se do ta organizojë në mënyrë transparente përdorimin e ndihmave.