1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një gjerman merr komandën e EUFOR-it në Bosnjë- Hercegovinë

Eberhard Nembach6 Dhjetor 2006

Për herë të parë një gjerman drejton trupën multinacionale të paqes në Bosnjë-Hercegovinë. Konteradmirali gjerman Hans-Jochen Witthauer do të urdhërojë ushtarët e EUFOR-it

https://p.dw.com/p/Ar9W
EUFOR në Bosnjë Hercegovinë
EUFOR në Bosnjë HercegovinëFotografi: AP

Zëvendëskomandanti i Natos gjenerali John Reith, i dorëzoi të martën konteradmiralit gjerman Hans-Jochen Witthauer komandën e trupës së Euforit në Bosnje-Hercegovinë. Një vit me rradhë Witthauer do të urdhërojë ushtarë nga 33 kombe. Ai zëvendëson gjeneralin italian Gian Marco Chiarini dhe është kështu i treti komandant i EUFOR-it që kur Bashkimi Europian morri nga NATO në vitin 2004 misionin "Shërimi".

Një ndër tre ushtarë nga 900 që ka trupa mund të largohet nga Bosnja muajt e ardhshëm, tha ministri i mbrojtjes Franc-Josef Jung, gjatë udhetimit për në Sarajevë. Për shkak të mjegullës ministri erdhi atje në minutën e fundit të ceremonisë së dorëzimit të komandës që u zhvillua në kampin e EUFOR-it.

Për herë të parë një gjerman do të drejtojë trupën multinacionale të paqes. SFOR-i i dikurshëm multinacionale të paqes u bë trupa EUFOR e drejtuar nga BE. Komandanti i ri, konteradmirali Hans-Jochen Witthauer, theksoi në fjalën e përshëndetjes se Bosnjë-Hercegovina ndodhet në zemer të Evropës. Që prej përfundimit të luftës para njëmbëdhjetë vjetesh vendi ka bërë përparime të mëdha.

"Unë do të mbështes me tej autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës për të ndërtuar një vend të sigurtë dhe stabël, që të mund të zërë vendin e vet në familjen evropiane. EUFOR-i mund të reagojë në çdo kohë kundër kërcënimit të sigurisë. Por unë besoj, se roli i EUFOR-it tani është më tepër të ndihmojë, se sa të ndërhyjë. Unë jam i sigurt, se ky vend në vitet e ardhshme do të bëjë përparime të tjera. Në fund Bosnjë-Hercegovina do të jetë një vend, që nuk ka më nevojë për prezencë ushtarake."

Ndërkohë në Bosnjë ndodhen rreth 6 000 ushtarë dhe ushtarë evropianë. Për të ardhmen e EUFOR-it evropianët duhet të vendosin së bashku. Përfaqësuesi i BE-së për politikën e jashtme Javier Solana foli për reduktimin e trupave në të ardhmen. EUFOR-i ka kontribuar, që njerezit në Bosnjë të garantojnë vetë sigurinë e tyre, tha Solana.

"11 vjet pas paqes së Dejtonit Bosnja-Hercegovina i është afruar këtij qëllimi. Vitin e ardhshëm Eufori do të zvogëlohet. Kjo është një arritje."

Reduktimi i trupave të EUFOR-it nuk është problem, mendon eksperti boshnjak i mbrojtjes Antonio Perlenda i gazetes ditore, Oslobodenje. "Në rast krize trupat mund të forcohen gjithmonë. Përveç kësaj ndërkohë prania e ushtarëve të huaj në Bosnjë-Hercegovinë ka kryesisht funksion simbolik politik. Përshëndes edhe avantazhin e pranimit të Bosnjës në programin partneritet për paqe të NATO-s."

Në fakt arrestimi i Radovan Karaxhiçit të kërkuar si kriminel lufte ka qenë parakusht për afrimin me Naton. Që Bosnjë-Hercegovina në samitin e fundit të NATO-s në Riga u pranua megjithatë në programin partneritet për paqe, shtron pyetjen, në se është i mundur edhe një afrim tjetër me BE-në, megjithëse Karaxhiçi vazhdon të qëndrojë i fshehur.

Në Bosnjë duhet të ndodhin ndryshime përndryshe i ngarkuar i OKB-së Schwarz-Schilling nuk do ta dorëzojë dot detyrën verën e ardhshme, siç ishte planifikuar gjithashtu edhe EUFOR-i do të duhet te qëndrojë më gjatë.