Ndeshje pa publik në stadiumet e pasigurtë! | Politika | DW | 06.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ndeshje pa publik në stadiumet e pasigurtë!

Samit krize mbi futbollin në Itali

Ceremonia mortore për policin italian Filippo Raciti, vrarë në stadiumin e Katanias

Ceremonia mortore për policin italian Filippo Raciti, vrarë në stadiumin e Katanias

Vitin e kaluar shumë tifozë u tallën me masat shumë të ashpra të sigurisë gjatë kampionatit botëror të futbollit në Gjermani. Pa të drejtë, siç konstatohet pas trazirave me pasoja të rënda në Itali pak ditë më parë. Biznesit italian të futbollit i mungojnë standarte të rëndësishme sigurie. Kjo pranohet tani edhe nga politikanët në Romë. Klubet e futbollit kërkojnë marrjen e masave.

Ashtu siç ndodh shpesh në Itali në fund pati një kompromis. Klubet e futbollit mund të shpresojnë që së shpejti ndeshjet të rifillojnë, ndoshta qysh këtë fundjavë. Për këtë qeveria ka shtrënguar vidat e sigurisë në stadiume. Shikuesit, është shprehur ministri italian i punëve të brendshme Giuliano Amato, do të lejohen në të ardhmen vetëm në arena të sigurta futbolli.

"Në stadiumet të cilat nuk përmbushin rregullat për sigurinë të ligjeve të fuqi do të luhet pa publik. Kur stadiumet të rihapen publiku mund të shkojë vetëm në ato të cilat i përgjigjen normave të sigurisë. Stadiumet e tjerë mund të përdoren për ndeshje por pa publik," - ka thënë Amato.

Kjo do të thotë që kur të rifillojnë ndeshjet e kampionatit në serinë "A" pjesa më e madhe të zhvillohen përpara rradhëve bosh të stadiumeve, në një atmosferë ireale. Sipas informacioneve në artikujt e gazetave italiane vetëm gjashtë stadiume të serisë A plotësojnë standartet aktuale të sigurisë. Këto janë arenat në Romë, Torino, Genova, Palermo, Siena dhe Mesina.

Në stadiumet e tjerë dhe në atë të Katanias, skenë e përleshjeve të përgjakshme në fundjavë, mungojnë vëzhgimi i mirë me kamera dhe kontrolli elektronik i biletave me emër. Të dyja këto masa sigurie janë të detyrueshme me ligj që prej dy vjetësh por klubeve përkatëse deri tani iu është miratuar muaj për muaj nga një leje përjashtimi nga rregulli. Kjo tani duhet të marrë fund, është shprehur ministrja italiane për sportin Giovanna Melandri: "Objektivi ynë strategjik është të çrrënjosim dhunën në sport. Këtë herë e kemi seriozisht."

Për të arritur këtë objektiv policia në të ardhmen do ta ketë më të lehtë të ndalojë nga futja në stadium tifozët e dhunshëm. Për ndërhyrjen e forcave të rendit nuk do të jetë më e nevojshme që tifozët që shkaktojnë trazira të kenë precendentë penalë. Ndalimi për hyrje në stadiume në të ardhmen do të jepet më lehtë, është shprehur ministri Amato.

"Ndalimi i hyrjes në stadiume mund të jetë një masë parandaluese, e cila do të përdoret sapo të ketë shenja se një person mund të bëhet i rrezikshëm. Kjo masë mund të aplikohet edhe tek tifozët e mitur," - ka thënë Amato.

Kjo ishte diçka e rëndësishme për qeverinë pasi në trazirat në Katania ishin të përfshirë edhe grupe të miturish, të ashtuquajturat Baby-Gangs. Klubet e futbollit do t'a kenë në të ardhmen të ndaluar t'u shesin klubeve të tifozëve paketa biletash. Me anë të kësaj mase qeveria kërkon të ndalojë udhëtimin e organizuar të tifozëve nga jashtë. Në të kaluarën tifozët e ardhur me trena dhe autobuzë specialë kanë qenë shpesh shkaktarë të trazirave të dhunshme. Veç kësaj qeveria italiane ka bërë të ditur se klubet italiane të futbollit duhet të ndërpresin të gjitha kontaktet me grupe të organizuara tifozësh. Atyre p.sh. nuk duhet t'u dhurohen më bileta falas.

Mbi paketën e masave të quajtur Anti-Dhunë dhe të hartuar në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar Olimpik qeveria italiane pritet të vendosë të mërkurën (7.2) ose të enjten (8.2). Vetëm më pas është shprehur komisari i Federatës së Futbollit Luca Pancalli, ai do të vendosë se kur do të rifillojnë ndeshjet e serisë A. Por klubet e futbollit mund të shpresojnë. Ekziston mundësia që të luhet madje qysh të dielën e ardhshme, u shpreh Pancalli pas takimit të krizës me qeverinë.

Përgjegjësit e klubeve të serisë A u angazhuan me forcë përpara takimit të krizës që ndeshjet të rifillonin sa më shpejt pas pezullimit për shkak të trazirave të përgjakshme në Katania.

  • Data 06.02.2007
  • Autor Jörg Seisselberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqn1
  • Data 06.02.2007
  • Autor Jörg Seisselberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqn1