Në dhjetëvjetorin e procesit të Barcelonës | Bota | DW | 31.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në dhjetëvjetorin e procesit të Barcelonës

Nga këndvështrimi i BE-së ky vit duhet festuar si jubileu i dhjetë i dialogut të BE-së me vendet mesdhetare, i cili ndryshe njihet me emrin procesi i Barcelonës, sipas emrit të qytetit ku u nënshkrua marrëveshja. BE-ja dëshiron të punojë në fushën e politikës, të ekonomisë dhe të kulturës me nëntë vendet partnere të Detit Mesdhe, përfshi këtu edhe autoritetet palestineze, por pa dashur të luajë për to rolin e kujdestarit.

default

Parë nga këndvështrimi ekonomik procesi i Barcelonës në radhët e BE-së konsiderohet deri në një farë mase i sukseshëm. Me Tunizinë, Marokun, Jordaninë, Egjiptin dhe Izraelin BE-ja ka lidhur marrëveshje për tregtinë e lirë. Me partnerët e tjerë, pra Algjerinë, Libanin, Sirinë, Turqinë apo autoritetet palestineze janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse, të cilat presin të ratifikohen. Deri në vitin 2010 pritet të bëhet realitet zona e tregtisë së lirë në bazë të qëllimeve të përcaktuara në vitin 1995 në Barcelonë.

BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar për këtë rajon, por BE-ja mendon se vetë vendet e Detit Mesdhe duhet të kenë marrëdhënie më të mira ekonomike mes tyre. Kryetari i radhës i BE-ës, MPJ i Luksemburgut Jean Asselborn kërkoi që edhe këto vende të heqin kufizimet doganore dhe tregëtare ndërmjet tyre: "Partneriteti mund të përmirësohet në qoftë se bashkëpunimi mes vendeve mesdhetare fiton një dinamikë të vërtetë. Pa një treg të përbashkët në jug, përpjeket tona nuk do të tregojnë kurrë të gjithë efektin e tyre."

Shpresat për demokratizimin dhe liberalizimin e shoqërive të vendeve mesdhetare, të cilat Evropa mendonte t'i realizonte përmes procesit të Barcelonës janë përmbushr vetëm në një masë të vogël. Përveç Izraelit dhe Turqisë asnjë prej shteteve të tjera nuk mund të konsiderohet si shtet me një demokraci funksionuese.

BE-ja dëshiron që ta forcojë dialogun politik si rrugë për hapjen dhe për demokratizimin e këtyre shoqërive. BE-ja dërgoi vëzhgues për zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen në Liban pas tërheqjes së ushtrisë siriane.

Forumi i Barcelonës është menduar si një kundërmodel ndaj politikës amerikane për Lindjen e Mesme. Tek e fundit në këtë forum të gjithë ministrat bisedojnë me njëri-tjetrin si partnerë të barabartë. Diplomatët e BE-së thonë se nuk ushtrojnë presion dhe se madje mendohet të hyhet në kontakt edhe me grupet opozitare me orientim islamik, në rast se ato heqin dorë prej përdorimit të dhunës.

Këmbimet kulturore dhe shkencore me shoqëritë e Lindjes së Mesme dhe ato të Afrikës veriore do të mbështeten prej një fondacioni të ri të BE-së me qendër në Aleksandri.

Hije negative ndaj procesit të Barcelonës hedh konflikti mes Izraelit dhe Palestinës. Por që prej takimit të nivelit të lartë në Sharm-El-Sheik mes kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe presidentit të palestinezëve Mahmud Abaz, BE-ja ka sërish shpresë për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

  • Data 31.05.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArP7
  • Data 31.05.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArP7
Reklamë