1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Irak u zgjodh parlamenti i ri në mes të një vale dhune

8 Mars 2010

Zgjedhjet parlamentare në Irak përfunduan të shoqëruara nga atentate të përgjakshme. Në to e humbën jetën të paktën 38 vetë. Presidenti i SHBA, Barak Obama përshendeti guximin e zgjedhësve.

https://p.dw.com/p/MMWR
Iraku ka një parlament të ri - formimi i qeverisë pritet të zgjatë. Ne foto: nje rruge ne Bagdad me pllakate elektorale te partive
Iraku ka një parlament të ri - formimi i qeverisë pritet të zgjatëFotografi: DW

Në afërsi të lokaleve të zgjedhjeve shpërthyen që në mëngjes një numër i madh granatash dore, raketash dhe lëndësh shpërthyese. Vetëm në Bagdad u regjistruan 70 shpërthime. Nga rrëzimi i një ndërtese prej bombave e humbën jetën rreth 25 vetë. Midis të vrarëve ka pasur shumë fëmijë. Grupe ekstremiste si Al Kaida patën kërcënuar me akte dhune, vecanërisht në rajone të banuara nga sunitët. Kryeministri i vendit, Nuri Al Maliki u përpoq në fillim të ditës si zakonisht përballë situatës së paqendrueshme ta minimizonte rëndësinë e atentateve:

"Incidente të tilla nuk janë gjë tjetër veçse zhurmë, për t'u futur frikën njerëzve. Por irakianët e pranojnë sfidën. Ju e shihni sa njerëz po shkojnë të votojnë."

Formimi i qeverisë pritet i vështirë

Edhe sipas vlerësimit të autoriteteve dhe ushtrisë amerikane frikësimi i zgjedhësve nuk u arrit. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas vlerësimeve ishte e konsiderueshme. Gati 19 milionë qytetarë të Irakut të përcarë në konfesione qenë thirrur për të votuar. 325 deputetë u zgjodhën midis 6200 kandidatëve. Rezultatet e para të zgjedhjeve priten më e herta në mes të javës. Me votën e tyre irakianët vendosën edhe për qeverinë, e cila do të sjellë stabilitet në vend, pas tërheqjes së plotë të trupave amerikane nga vendi, deri në fund të vitit 2011. Nga rezultati i zgjedhjeve do të varet edhe nëse Iraku do të priret drejt Iranit shiit, apo nëse do të formohet një qeveri e moderuar e pajtimit kombëtar midis shiitëve, sunitëve dhe kurdëve. Por vëzhguesit presin që aleanca me pamje sekulare rreth kryeministrit Nuri-Al-Maliki, Aleanca rreth ish-kryeministrit Iljad Allawi, ose grupi me shanse i partive shiitë të mos arrijnë të fitojnë të vetme një shumicë të mjaftueshme votash për të qeverisur.

SHBA dhe BE përshëndesin guximin e votuesve

Pas mbylljes së lokaleve zgjedhore në orën 15 sipas orës së Evropës Qendrore, presidenti i SHBA, Barak Obama i përshëndeti zgjedhësit që votuan, megjithë dhunën. E ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Catherine Ashton i siguroi irakianët për mbështetjen e BE. Ajo tha se BE do të mbështesë edhe më tej Irakun, për ta ndërtuar vendin dhe për të stabilizuar sistemin politik. BE shpreh detyrimin për një partneritet afatgjatë me irakianët. Respektin për pjesëmarrjen në zgjedhje, megjithë atentatet ua shprehu irakianëve edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle. "Unë kam respekt të madh para guximit të shumë burrave dhe grave, të cilët përmes pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje shprehën mbështetjen e tyre për demokracinë", tha ministri i jashtëm gjerman të dielën në Buenos Aires, në një stacion në rrugën e tij për në Kili. Westerwelle i dënoi njëkohësisht atentatet me disa dyzina të vrarësh, që "hodhën një hije mbi ditën e votimeve".

Autor: Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani