1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Berlin përkujtohet 60 vjetori i kryengritjes së romëve

Gabriele Heuser17 Maj 2004

Presidenti gjerman Johanes Rau përkujtoi në një ceremoni përkujtimore mbajtur në ministrinë e jashtme gjermane kryengritjen e të burgosurëve romë në kampin e Aushvitzit.

https://p.dw.com/p/Ar6h
Presidenti gjerman Johanes Rau
Presidenti gjerman Johanes RauFotografi: AP


Pikërisht si dje para 60 vjetësh më 16 maj të vitit 1944, mijëra të burgosurë në të ashtuquajturin kampin e jevgjëve Aushvitz Birkenau u mbrojtën me gurë dhe mjete tjera të punës kundër urdhërit për vrasjen e tyre masive. Prej vitit 1942 nazistët nga 11 vende evropiane patën deportuar për në Aushvitz mbi 23 mijë romë. Shumica e tyre janë vrarë atje. Në ceremoninë e djeshme përkujtimore me rreth 700 të ftuar morri pjesë edhe kryetari i Këshillit qendror të romëve në Gjermani Romani Rose, ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher dhe të mbijetuar nga kampi i Aushvitzit.

Në sallën botërore të Ministrisë së jashtme gjermane kryetari i Këshillit qendror të romëve, Romani Rose tërhoqi vëmendjen se në historinë e përndjekjes së minoritetit që ai përfaqëson, kryengritja e 16 majit të vitit 1944 edhe më tej mbetet me vlerë të veçantë.

Në mbrëmjen e 16 majit 1944, rreth 6000 të burgosurë romë në sektorin e kampit me shifër B2E refuzuan të ngjiten në kamionët të cilët ishin bërë gati t`i dërgonin ata në dhomat e gasit vdekjeprurës. Me armë të improvizuara nga mjetet e punës të burgosurit u barrikaduan në baraka dhe detyruan ushtarët që të ndërprejnë aksionin e planifikuar të tyre. Pastaj rreth 3000 të ashtuquajtura forca punëtore në mesin e të burgosurëve u dërguan me një kamp tjetër dhe pjesa më e madhe e tyre mbijetuan luftën. Të tjerët kryesisht nëna, fëmijë dhe pleq u vranë më vonë përkundër kryengritjes së tyre.

Në ceremoninë e djeshme përkujtimore përherë të parë sipas Roze vëmendja është përqëndruar jo vetëm në shfarosjen por edhe në guximin që romët iu kundërvunë vrasësve të tyre. Një rast i përshtatëshëm për të që të përsiëris kërkesën e tij të vjetër:

"Të nderuar zonja dhe zotërinj, dita e sotme përkujtimore është për ne rast të kërkojmë që planet për ngritjen e Përkujtimores së Holokaustit për romët e vrarë në Evropën e pushtuar nga nacionalsocialistët të mos zvarritet më", nënvizoi Rose.

Ndërkaq presidenti gjerman Johanes Rau në fjalimin e tij iu drejtua të mbijetuarëve të asaj kohe me këto fjalë:

"Ju jeni hedhur kundër barbarisë në kohën më të errët të Gjermanisë dhe me këtë mbrojtët paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor. Për këtë ju meritoni respektin tonë andaj dhe sjellja e juaj e guximshme duhet të jetë shumë më e njohur se që është sot", tha presidenti Rau.

Sikur ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher më parë ashtu edhe presidenti Rau pranoi se gjenocidi ndaj romëve për një kohë të gjatë është lënë mënjanë dhe minimizuar. Prej vitit 1997 Qendra kulturore dhe dokumentare në Heidelberg është duke dhënë një kontribut me vlerë për ndryshimin e kësaj gjendje.

8,5 milionë romët sot janë minoriteti më i madh dhe më i diskriminuari në Evropë. Edhe më tej në shumë vende evropiane ata jetojnë në kushte të vështira, shpesh në varfëri të skajshme, bile në disa vende përndiqen ende. Për këtë arsye presidenti Rau përsëriti edhe njëherë se:

"Nëse nuk duhet të përsëritet e pakonceptueshmja atëherë të gjithë ne duhet të përpiqemi në jetën e përditshme që njerëzit me prejardhje të ndryshme, besime të ndryshme dhe tradita të ndryshme kulturore të jetojnë bashkarisht dhe me kujdes e respekt për njëri-tjetrin. Këtu në Gjermani si në Evropë dhe çdokund në botë", nënvizoi presidenti gjerman Johanes Rau në ceremoninë përkujtimore të 60 vjetorit të kryengritjes rome në kampin neonazist të Ausshvitzit.