• Monumenti përkujtimor për çifutët në Berlin • Rusia dhe BE-ja thellojnë bashkëpunimin | Studimi në Gjermani | DW | 10.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• Monumenti përkujtimor për çifutët në Berlin • Rusia dhe BE-ja thellojnë bashkëpunimin

Pamje nga monumenti i holokaustit në Berlin

Pamje nga monumenti i holokaustit në Berlin

Në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman është përurimi i monumentit përkujtimor për çifutët e shfarosur gjatë Luftës së II Botërore në Gjermani.

Në lidhje me këtë në gazetën "Main Echo" lexojmë:

"Monumenti duhej ngritur. Jo si një akuzë apo si shprehje e mazohizmit të vazhdueshëm vetëtorturues, por si pranim i qartë i përgjegjësisë së kombit gjerman ndaj së kaluarës. Arkitekti Peter Eisenman krijoi me 2711 blloqet e ftohta të munumentit një vepër e cila nuk vë përballë njëra-tjetrës monstruozitetin e krimeve dhe të përkujtimit, por një të tillë që e merr peng vizitorin dhe e ndjenjat e tij. Monumenti nuk ofron përgjigje të gatshme, por e lë vizitorin të vetëm me pyetjen përse ndodhi e gjithë kjo. Në vend të përkujtimit me urdhër nga lart inspirohesh për të menduar e gjykuar vetë për historinë."

Kurse në gazetën "Nürnberger Nachrichten" lexojmë:

"Vendi i monumentit në qendër të Berlinit, ku dikur gjendeshin bunkeri i fyrerit dhe kancelaria e Rajhut është mjaft i përshtatshëm. Më qartë nuk mund të ilustrohej shpagimi me historinë e vetë gjermanëve gjatë periudhës naziste. Blloqet e neveritshme duhet të vendoseshin pikërisht në mes të zonës ku janë ndërtesat qeveritare, pikërisht aty ku fotografët gjejnë motivet e tyre për kartolinat e bukura nga Berlini. Ai që hyn mes 2711 blloqeve prej betoni humbet orientimin, e ndjen veten të lënë në mëshirë të fatit. Në qendrën me dokumenta në ngritur nën dhe, ky përjetim plotësohet prej eksponateve ku paraqitet historia e holokaustit. Në qendër të dokumentave nuk janë shifrat dhe faktet, por historitë individuale të të përndjekurve."

Artikullshkruesi i "Stuttgarter Nachrichten" mendon se tani nuk duhet që monumenti të shndërrohet në pjesë të detyrueshme të programit të ekskursioneve të nxënsve që vizitojnë Berlinin, sepse çelsi për kujtesën historike qëndron tek vullnetarizimi:

"Gjermanët e kanë vërtetuar shumë herë se e kanë marrë seriozisht përkujtimin e gjenocidit si dhe trajtimin e përfundimit të Luftës së II Botërore si çlirim. Shenja më e dukshme është monumenti përkujtimor për holokaustin në qendër të Berlinit. Sado që kritikuesit shprehen me përbuzje për ndjenjën e fajit që i përshkon gjithmonë gjermanët, askush nuk është i detyruar që ta vizitojë monumentin, madje do të ishte gabim që çdo klasë me nxënës që shkon për vizitë në Berlin ta detyrosh që ta vizitojë këtë monument. Vullnetarizimi është çelësi që mban gjallë kujtimin. Po ai që do të bëj vend në zemrën e vet për këto kujtime do të gjejë në Berlin me të vërtetë gjurmë dhe fakte historike tepër të prekshme."

Temë tjetër që trajtojnë gazetat gjermane janë bisedimet mes Rusisë dhe BE-së për nënshkrimin e marrëvshjeve të reja të bashkëpunimit.

Nisur prej problemeve që ka Rusia me anëtarësimin e vendeve baltike apo të Polonisë në BE, dikur ish-republika sovjetike apo vendeve satelite të Moskës, artikullshkruesi i "Thüringische Landeszeitung" shkruan:

"Vetëm ai që e mban mirë parasysh të kaluarën mund të ndërtojë me fqinjët një të ardhme të mirë. Kjo vlen edhe për Rusinë. Po me historinë sundimtari i Kremlinit duket se ka probleme. Pranimi i faktit se përfundimi i Luftës së II Botërore, nuk solli për Evropën Lindore lirinë, por një formë të re të diktaturës, nuk do t'i relativizonte viktimat e mëdha të Bashkimit Sovjetik në këtë luftë. Por një hap i tillë do të kontribuonte në ndershmërinë në trajtimin e historisë, sikurse kërkojnë vendet baltike dhe Polonia."

Artikullshkruesi i gazetës "Neue Presse" që botohet në Hannover shpreh shqetësimin se çfarë fshihet pas toneve të Putinit për partneritetin ndërkombëtar:

"Ndryshe nga herët e tjera Putini kësaj radhe foli me seriozitet të madh për partneritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Duket se e kaluara është kapërcyer. Po e ardhmja, e ardhmja e Rusisë? Ndoshta kjo perandori i stërmadhe nuk mund të qeveriset ndryshe. Por programi marcial me përmasa jashtëzakonisht të mëdha i Putinit me të cilin ai synon që Rusia të shndërrohet sërish në një fuqi botërore, është gjithçka tjetër, por jo qetësues."

  • Data 10.05.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arva
  • Data 10.05.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arva