Ministri i mbrojtjes Jung në konferencën e sigurisë në Singapor | Gjermania | DW | 03.06.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministri i mbrojtjes Jung në konferencën e sigurisë në Singapor

Tema: Afganistani

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung

Vendet aziatike duan të angazhohen më shumë në të ardhmen në rindërtimin e Afganistanit. Kështu u shpreh ministri gjerman i mbrojtjes dje Franz Josef Jung në kuadër të një konference për sigurinë në Singapor. Ka pasur disa premtime konkrete për projekte, ndër të tjera nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori. Qytet-shteti i vogël do të angazhohet në shërbimin mjekësor, tha Jung pas një bisede eme kryeministrin Lee Hsien Loong. Afganistani ishte në qendër të kësaj konference. Ministri amerikan i mbrojtjes Robert Gates i paralajmëroi dje 25 homologët e tij për rrezikun e shpërbërjes së shtetit, i cili do të kthehej në çerdhe të terroristëve.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung ishte folësi i fundit në konferencën e sigurisë në Singapor. Ai u ndoq me shumë vëmendje dhe korri duartrokitjet miratuese të më shumë se 300 pjesëmarrëve. Jung foli për temën mbarëbotërore të bashkëpunimit në fushën e sigurisë që sa vjen e bëhet më e rëndësishme në kundërvënien ndaj kërcënimeve më të mëdha për sigurinë ndërkombëtare.

'Së pari është sfida e terrorizmit ndërkombëtar, së dyti sfida e përhapjes së armëve bërthamore dhe të shfarosjes në masë dhe së treti çështja e konflikteve rajonale në lidhje me shpërbërjen e shteteve dhe të daljes së monopolit të dhunës nga kontrollit të shtetit.'

Vendet e botës, tha Jung, janë afruar më shumë me njëri-tjetrin, në planin afatgjatë politika e ndërthurur e sigurisë është rruga e duhur për të zgjidhur konfliktet. NATO-ja dhe Evropa kanë pasur sukses me këtë strategji dhe tani duhet të përfshihen më shumë edhe shtetet aziatike. Siç tregon shembulli i Afganistanit mjetet financiare të shteteve të veçanta nuk mjaftojnë më për të përballuar nevojat në planin e sigurisë, tha Jung. Në të njëjtën kohë ai theksoi:

'Përballimi i krizave dhe konflikteve afatgjata nuk arrihen vetëm me mjete ushtarake.'

Një aludim i qartë për debatin se cila është strategjia e duhur për Afganistanin. Gjermania dëshiron një ndërthurje të përshtatshme të ndihmës civile për rindërtimin me angazhimin ushtarak në Afganistan. Sjellja ndonjëherë e ashpër e ushtrisë amerikane që udhëheq në jug të vendit luftën anti-terror 'Enduring Freedom' e shqetëson ministrin. Prandaj ai reagoi me humor të prishur ndaj pyetjes së një gazetari të 'Washington Post'-it, nëse është i mjaftueshëm kontributi ushtarak i Gjermanisë në Afganistan:

'Me 3.000 ushtarë ne jemi kontingjenti i tretë për nga forca në veri të Afganistanit, jemi gjithashtu të pranishëm në Kabul dhe tani kemi nisur edhe angazhimin e avionëve Tornado në mënyrë që të plotësohen në gjithë Afganistanit mungesat në zbulimin nga ajri, prandaj do të isha mjaft mirënjohës për informim korrekt në këtë pikë.'

Jung deklaroi më tej se sukseset në Afganistan shpesh nuk regjistrohen, për shembull në fushën e arsimit dhe të mjekësisë. Politikani kristiandemokrat pranoi njëkohësisht se brenda një viti gjendja e sigurisë në Afganistan është keqësuar dukshëm:

'Megjithatë do të ishte krejt gabim të hapje tani një diskutim për përfundimin e operacionit, sepse jam i bindur që duke ndjekur këtë rrugë dhe duke fituar besimin e popullsisë do të kemi sukses.'

Në një vlerësim të parë Jung-u e quajti konferencën e sigurisë në Singapor mundësi ideale që në rrugë jozyrtare të shkëmbehen mendime lidhur me tema aktuale të politikës së sigurisë dhe asaj të mbrojtjes. Pas disa bisedimesh të tjera dypalëshe Jung do të largohet nesër nga Singapori me destinacion Indinë.

  • Data 03.06.2007
  • Autor Anja Günther
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwV
  • Data 03.06.2007
  • Autor Anja Günther
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwV