Meurs: Fati i Kosovës nuk varet prej zgjedhjeve në Serbi | Ballkani | DW | 16.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Meurs: Fati i Kosovës nuk varet prej zgjedhjeve në Serbi

Intervistë me Wim van Meurs, ekspert për Evropën Juglindore.

Çfarë mund të sjellin zgjedhjet në Serbi?

Moers: Zgjedhjet nga e kaluara në Serbi kanë dëshmuar se parashikimi i rezultateve është gati i pamundur. Por besoj se për Kosovën rezultati i zgjedhjeve serbe është i parëndësishëm.

Mendoni se Serbia pas këtyre zgjedhjeve do të jetë në gjendje t'i plotësojë obligimet e saja ndaj bashkësisë ndërkombëtare?

Meurs: Nuk e besoj se mund t'i përmbushë pritjet, kur bëhet fjalë për Kosovën. Duhet rikujtuar se edhe në zgjedhjet e vitit 2000, kur u rrëzua regjimi i Millosheviqit, bashkësia ndërkombëtare ishte në dilemë ta thotë apo jo qëndrimin e prerë ndaj çështjes së Kosovës dhe ardhmërisë së Serbisë. Asokohe besohej se bërja publike para zgjedhjeve e qëndrimit të prerë ndaj Kosovës, do të fuqizonte forcat radikale dhe do të dobësonte demokratët. Një lojë të ngjashme kemi edhe sot.

I ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, do të paraqesë propozimet e tija për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pala serbe shpreson mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë ndërsa kosovarët duan pavarësi pa kushte?

Meurs: Ajo që kam dëgjuar deri tani dhe që ka kuptim, është një propozim sipas së cilit Kosovës nuk do t'i mundësonte pavarësi eksplicite, dhe do të përjashtonte mundësinë që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Mendoj se në zgjedhjet e tanishme në Serbi, asnjë forcë politike nuk pret shumë prej propozimeve të Marti Ahtisarit. Ndonjë zgjidhje magjike nuk mund të ketë, prandaj mendoj se është e parëndësishme nëse propozimi i Ahtisarit paraqitet para apo pas zgjedhjeve.

Po çfarë mund të presin kosovarët dhe a do të kenë ata një perspektivë të qartë, apo do të vazhdojë status quo-ja e tanishme?

Meurs: Në rastin më të mirë, kosovarët mund të presin një mbështetje më të fuqishme dhe marrjen e me shumë kompetencave. Mirëpo thuhet se disa sektorë, si siguria e minoriteteve dhe politika e jashtme, edhe më tej do të mbeten në duart e bashkësisë ndërkombëtare. Duket se këto përgjegjësi do të jenë në duart e BE.

Beogradi ka kërkuar që pas zgjedhjeve dhe pas prezantimit të propozimeve të Marti Ahtisarit të vazhdojnë ende bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Bisedimet e vitit të kaluara nuk sollën deri tek afrimi i pozicioneve apo gjetja e ndonjë marrveshje. Besoni se është i mundur kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës?

Meurs: Jo, po të ishte i mundur kompromisi në çështjet politike apo dhe ato të tjera, do të arrihej gjatë bisedimeve të vitit të kaluar. Nuk besoj që bashkësia ndërkombëtare mund të ushtrojë presionin e duhur që njëra prej palëve të ndryshojë qëndrimet dhe të arrihet një kompromis. Të gjitha partitë politike serbe në këtë fushatë e kanë thënë qartë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë. Kjo thuhet edhe në kushtetutë, prandaj nuk mund të pritet ndonjë kthesë.

Shqiptarët insistojnë për pavarësi, ndërsa serbët e kundërshtojnë atë. Pra dikush në fund do të jetë i pakënaqur. A mund të ketë radikalizim të gjendjes?

Meurs: Nuk e besoj se gjendja do të shkallëzojë. Tani po shihet se në Serbi mund të bëhet një lloj mobilizimi lidhur me çështjen e Kosovës, por në fakt Kosova në gjashtë - shtatë vjetët e fundit, nuk është në kuadër të saj. Për zgjedhjet mund të bëhet një lloj mobilizimi, por nuk e besoj që njerëzit mund të mobilizohen për përdorimin e dhunës në Kosovë. Ndërsa në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare e ka bërë shumë të qartë se nuk do të lejohen trazirat si ato të marsit të vitit 2004.

Po si e vlerësoni gjendjen brenda Grupit të Kontaktit, ku kohët e fundit ka pasur deklarata kundërthënëse për Kosovën?

Meurs: Shtetet perëndimore brenda Grupit të Kontaktit nuk kanë mundur ta bëjnë një ndarje të qartë të çështjes së Kosovës prej kërkesave të Rusisë, që kjo çështje të lidhet me Osetinë jugore, Transistinë apo rajone të tjera. Kjo ka bërë të pamundur edhe gjetjen e një kompromisi për pavarësinë e Kosovës.

Mendoni se sërish mund të arrihet uniteti brendaj këtij grupi?

Meurs: Shumë vështirë, sepse kërkesat e Rusisë nuk mund të pranohen prej shteteve perëndimore. Ideja që çështja e Kosovës të ndërlidhet me pavarësinë e disa rajoneve të tjera është e papranueshme. Prandaj nuk besoj në mundësinë e kompromisit.

Pra zoti Vim van Meurs sipas jush nuk ka mundësi për kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nuk ka kompromis brenda Grupit të Kontaktit! A do të thotë kjo se na pret një luftë e re, vazhdimi i status quo-së, apo ju keni ndonjë skenar, se si mund të zgjidhet çështja e statusit?

Meurs: Të jem i sinqertë, nuk e di si mund të zgjidhet. Shkurtimisht ju e thatë se palët janë të armiqësuara. Në shtigje të gjata raportet mes shqiptarëve dhe serbëve mund të shtendosen vetëm në qoftë se Kosova fiton një lloj shteti dhe i jepet më shumë hapësirë për krijimin e shtetit dhe demokratizimin e tij. Në shtigje të gjata kjo mundëson shtendosjen e raporteve edhe midis Prishtinës dhe Beogradit. Por nuk e besoj se kjo mund të funksionojë në shtigje të shkurtëra.

Pas një parashikimi të këtillë, a është e tepërt t'ju pyes nëse Kosova dhe Serbia, në këtë moment, kanë ndonjë perspektivë europiane?

Meurs: Shikuar nga qëndrimet e tanishme të BE, besoj se Kosova dhe Serbia janë të fundit në radhën e shteteve të Ballkanit perëndimor dhe kanë gjasat më të këqija për anëtarësim. Fatkeqësisht, sepse sikur Serbia të tregohej më fleksibël dhe më e gatshme për bashkëpunim, besoj se kjo do të reflektohej edhe në procesin e zgjerimit të BE-së.

  • Data 16.01.2007
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZg
  • Data 16.01.2007
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZg
Reklamë