Merkel fton Obamën për një vizitë në Gjermani
5 Nëntor 2008Kancelarja gjermane Angela Merkel i siguroi presidentit të ardhshëm amerikan bashkëpunim në frymë mirëbesimi. "Në fillim të periudhës suaj legjislative bota ndodhet para sfidave të mëdha. Jam e bindur, se përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe në mirëbesim mes Evropës dhe SHBA-së do t'i përballojmë me vendosmëri rreziqet dhe risqet e reja dhe do t'i shfrytëzojmë mirë shanset e larmishme që dalin në botën tonë globale", shkruan kancelarja demokristiane ndër të tjerash në një telegram që nisi herët në mëngjes në Uashington. Merkel e ftoi Obamën për një vizitë në Gjermani.
Telegram i dërgoi Barak Obamës (Barack Obama) edhe presidenti i Gjermanisë, Horst Këler (Koehler), i cili i premtoi presidentit të ardhshëm amerikan se mund ta konsiderojë Gjermaninë si një partnere e besueshme dhe mike e vjetër. "Gjermania dhe SHBA-të janë të lidhura me njëra tjetrën përmes vlerave të përbashkëta", thekson Këler, "dhe ky është themeli për bashkëpunimin në bashkësinë transatlantike."
Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier), u shpreh i gëzuar për rezultatin e zgjedhjeve. "Amerika votoi për ndryshimin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm", tha ai para kamerave televizive. Politikani socialdemokrat kujtoi fjalimin e Obamës në Berlin dhe theksoi afërsinë ideore me Obamën në çështje të tilla, si klima, energjia apo puna e organizatave ndërkombëtare. "Por ky ndryshim dëshmon për gjallërinë e demokracisë amerikane dhe kjo më gëzon", tha kandidati për kancelar.
Mijëra amerikanë festuan gjatë gjithe natës në Berlin fitoren e Obamës. Shumica e mbi 200 mijë amerikanëve që jetojnë në Gjermani janë pro demokratë. Rreth 5000 syresh janë anëtarë të Partisë së Obamës.