1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Slowakei Griechenland EU

13 Gusht 2010

Parlamenti sllovak vendosi të mërkurën (11.8.) të mos marrë pjesë në paketën e shpëtimit për anëtaren e BE-së dhe të Eurogrupit Greqinë e zhytur në borxhe.

https://p.dw.com/p/OmYw

Zemërimi i komisionerit të BE-së për çështje ekonomike dhe financiare Oli Rehn me parlamentin sllovak është i vetëkuptueshëm. Rehn akuzon deputetët dhe qeverinë e qendrës së djathtë në Sllovaki për mungesë solidariteti. Me vendimin e saj, për të mos dhënë asgjë në paketën prej 110 miliardë eurosh për shpëtimin e Greqisë, Sllovakia veçohet prej 16 anëtarëve të grupit të shteteve të forta, që kanë monedhë të përbashkët euron.

Ky mund të ishte një sinjal fatal për Eurogrupin dhe BE në tërësi

Sepse Sllovakia nuk u përmbahet premtimeve të bëra në mars. Në atë kohë qeveria e majtë populiste në samitin e Brukselit i mbështeste ndihmat për Greqinë. Premtimet e dhëna po shkelen, besimi i kryetarëve të shteteve tek njëri-tjeri po merr goditje të rënda. Deri tani vlente deviza: "Pacta sunt servanda" ("Marrëveshjet duhen plotësuar"). Marrëveshjet e nënshkruara përballojnë edhe ndërrimet e qeverive.

Deutsche Welle ZPR Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Qeveria e re sllovake ndjek një kurs të ri

Ndërrimi i fundit i qeverisë në Sllovaki, ku drejtimin pas zgjedhjeve të qershorit e ka marrë kryeministrja Iveta Radicová e kristiandemokratëve, çon në një shmangie katastrofale të Sllovakisë nga kursi. Brukseli i sheh tani të vërtetuara dyshimet, se Sllovakia mund ta thellojë qëndrimin e saj të kamufluar skeptik ndaj Evropës.

Në moment nuk ekziston rrezik, që edhe shtete të tjera të Eurozonës të dalin nga paketa e shpëtimit të Greqisë. Greqia ka marrë tashmë vetëm 14 miliardë euro nga huatë emergjente. Por n.q.s. ngarkesat në tre vitet e ardhshëm shtohen, atëherë shteteve të vogla si Qipros, Maltës, apo Sllovenisë mund t'u shkonte mendja, të mos jenë më solidarë. Ose edhe shtetet e rënduara financiarisht, Irlanda, Spanja dhe Portugalia mund të distancoheshin nga përgjegjësia e përbashkët.

Detyrim ligjor për pjesëmarrjen në paketën e shpëtimit të Greqisë nuk ekziston, sepse asnjë vend nuk mund të detyrohet, të përgjigjet për borxhet e një shteti tjetër të BE-së. Qeveria sllovake duhet ta ketë të qartë, se shtetet e tjera të BE-së nuk do të lënë asnjë rast, për t'ia kthyer mbrapsht Sllovakisë, më së voni deri në bisedimet për buxhetin, edhe pse është fjala për ndihma në fusha të ndryshme për Sllovakinë.

Së paku Sllovakia, siç e kishte premtuar prej kohësh, e ka aprovuar paketën e madhe të shpëtimit prej 750 miliardë eurosh për të gjithë Euro-Zonën. Sikur kryeministrja ta kishte refuzuar, do të kishte sjellë probleme serioze për BE-në në tregjet financiare. Ngritja e një pakete shpëtimi është teknikisht e lidhur me unanimitetin e 16 vendeve të euros. Kjo paketë shpëtimi është fundja në interes të vetë Sllovakisë, n.q.s. ajo në të ardhmen do të bjerë në vështirësi financiare si shteti më i ri i Eurozonës.

Ministri sllovak i Financave është shprehur në debatin parlamentar në Bratislavë, që çështja e falimentimit të një shteti të përfshihet në marrëveshjet e BE-së. Me këtë kërkesë ai ka me siguri të drejtë. Një diskutim për këtë është shumë i domosdoshëm, sepse kriza e borxheve nuk ka kaluar ende.

Shkelja e marrëveshjeve dëmton më shumë Sllovakinë se BE

Sllovakia shihet gjithsesi me mosbesim nga anëtarët e tjerë të BE-së. Fundja vendi në vitet 1990-të qeverisej nga një populist i djathtë dhe me vështirësi e bëri ndërrimin e kursit në drejtim të demokracisë, për t'u pranuar në vitin 2004 në BE. Përveç kësaj nuk është zgjidhur konflikti me vendin fqinj Hungarinë rreth pakicës hungareze në vend.

Autor: Bernd Rigert

Redaktoi: Angelina Verbica