Me gravurën e Nënë Terezës te presidenti gjerman
13 Janar 2010Çdo fillim viti presidenti gjerman Horst Koehler organizon në pallatin e tij një pritje të vitit të ri. Kreu i shtetit federal në këtë ritual, përveç personaliteteve me funksione drejtuese në institucione të ndryshme partiake dhe joqeveritare, fton edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët janë dalluar me angazhimin e tyre vullnetar. Këtë radhë i pranishëm ishte edhe Kadri Bekteshi me prejardhje nga Kosova. Me hap sportiv dhe buzëqeshje në fytyrë Kadri Bekteshi kalon para breshërisë së bliceve të fotoaparateve. Horst dhe Eva Louise Koehler e presin në sallonin e pritjes në Kështjellën Bellvue në Berlin. Përgjegjësi i protokollit sapo ka thirrur emrin e tij me një biografi të shkurtër. Bekteshi mban në dorë një kuti të vogël, një dhuratë për presidentin gjerman dhe të shoqen.
"Ishte një punim gravure me figurën e Nënë Terezës dhe thashë, se prejardhja ime është sikur e Nënë Terezës", thotë Kadri Bekteshi me sy të shndritshëm nga lumturia dhe lotët e gëzimit.
45-vjeçari nga Vitia e Kosovës ka pasur rastin ta shohë Nënë Terezën, kur ajo pat shkuar të vizitonte kishën e Letnicës. Bamirësja nobeliste ka shërbyer edhe për të vazhdimisht si frymëzim, rrëfen Kadri Bekteshi mbas takimit i emocionuar.
Kadri Bekteshi nuk është mësuar me drita projektori, edhe pse kohët e fundit i është dashur të japë shumë intervista për mediet lokale në Bielefeld, në emër të qytetarëve të të cilit, ai ishte i ftuar tek Presidenti i Republikës:
"Bielefeldi ka rreth 400 mijë banorë, afro 100 mijë syresh janë të huaj, dhe mua më zgjodhën si përfaqësues të tyre...," - dhe Bekteshin sërish e kapin e emocionet, kur kujton se ku ndodhet sot ai, që 18 vjet më parë, kur shkeli për herë të parë tokën e këtij vendi për t'i ikur luftës dhe dhunës në Ballkan, nuk fliste aspak gjermanisht.
Sporti mjet i parandalimit të dhunës dhe agresionit qysh në fëmijëri
Pikërisht angazhimi i tij vullnetar kundër dhunës u bë shkak që kosovari me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë të martën të gjendej përballë presidentit të Gjermanisë. Në Bielefeld ai punon në administratën e qytetit, por në kohën e lirë jep mësim sporti mbi bazë vullnetare në një shkollë fillore.Qëllimi është parandalimi i dhunës dhe agresionit qysh në fëmijëri: "Agresioni nuk mund të largohet vetvetiu, ai hiqet vetëm nëpërmjet aktiviteteve, me biseda, komunikim ose sport," thotë mediatori, vetë baba i dy fëmijëve.
Ideja për një projekt të tillë atij i lindi në vitin 2006, tek vëzhgonte agresivitetin e shtuar tek fëmijët nëpër shkolla. Por angazhimi i tij me bazë vullnetare kishte filluar qysh më herët, me Kryqin e Kuq, në ndihmë të refugjatëve të ardhur nga Kosova në vitin 1999 në Gjermani. Por që ky angazhim dikur do t'i sillte këtë nder, Kadri Bekteshi këtë nuk e kishte menduar kurrë. Prandaj edhe ai tek Presidenti i Gjermanisë e e pa veten jo vetëm si përfaqësues i Bielefeldit, por edhe i shqiptarëve që ecin në gjurmët e Nënë Terezës.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Angjelina Verbica