1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetje për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare serbe

Jeton Ismajli11 Janar 2007

Britania e Madhe dhe SHBA përkrahin qëndrimin e një pjese të subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 21 janarit

https://p.dw.com/p/ArZp
Parlamenti serb, në të cilin duan të futen edhe dy parti shqiptare të Luginës së Preshevës
Parlamenti serb, në të cilin duan të futen edhe dy parti shqiptare të Luginës së PreshevësFotografi: picture-alliance / dpa


Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje, është e një rëndësie të madhe, sepse me këtë ata do të kontribuojnë në shpejtimin e proceseve që do të zgjidhin problemet e tyre, tha ambasadori britanik, Stiven Uordsuorth, pas takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e subjekteve dhe institucionele lokale të shqiptarëve.

Stiven Uordsuorth, ambasador i Britanisë së Madhe u shpreh se, është shumë rëndësishme që njerëzit të dalin dhe të votojnë në këto zgjedhje, në mënyrë që të sigurojnë një përfaqësim efektiv në parlament në Beograd. Stiven Uordsuorth, i cili që para gjashtë javësh kishte marrë postin e njeriut të parë të ambasades britanike tha se pikërisht Lugina e Preshevës për shkak të rëndësisë specifike që ka, përbën vizitën e tij të parë jashtë kryeqytetit serb.

Nga ana tjetër, diplomati britanik e quajti si një gabim politik vendimin e pjesës tjetër të subjekteve të këtushme politike shqiptare për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare. Me bojkot nuk arrihet asgjë, madje një gjë e tillë për shqiptarët do të thote edhe një rrugë pa kthim, ka thënë ndër të tjera ambasadori i Britanisë së Madhe, Stiven Uordsuorth, pas qëndrimit të tij dyditor në Luginën e Preshevës.

Për prefektin e Bujanocit, Nagip Arifi, përkrahja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje, e kumtuar nëpërmjet ambasadorit Uordsuorth për Luginën e Preshevës ka një domethënie të madhe. Në zgjedhjet parlamentare serbe shqiptarët do të garojnë me dy subjekte politike, Partinë për Veprim Demokratik dhe Bashkimin Demokratik të Luginës të tubuara rreth Koalicionit të Shqiptarëve.

Ndërkohë përkrahje pjesëmarrjes në zgjedhje i ka dhënë edhe ambasada e SHBA-ve.