Martin Kaymer ylli i ri i golfit gjerman
17 Gusht 2010Martin Kaymer ka dalë më në fund nga hija e yllit të deritanishëm të golfit gjerman, Bernhard Langer-it. 25 vjeçari nga Matman pranë Dyseldorfit, është gjermani i dytë që fitoi njërën ndër katër turnetë e mëdha të golfit: kampionatin SHBA-PGA në Koler, në shtetin federal të Viskonsinit.
Pas katër raundesh Kaymer, ia doli që me një goditje speciale në pozicionin e tretë të fitojë kundrejt rivalit amerikan, Bubba Watson. Për fitoren, Kaymer është shpërblyer me 1 milionë e 350 mijë dollarë, është renditur i pesti në botëror dhe për herë të parë u kualifikua për garën „Kupa e Raiderit“(Ryder Cup), e cila zhvillohet në fillim të tetorit, në Uells. Kjo garë është dueli më prestigjioz midis lojtarëve më të mirë të golfit, nga Evropa dhe SHBA.
„S´ka gjë më madhështore për një lojtar golfi, se sa të fitojë një turne,"- deklaroi pas triumfit ylli i ri i golfit gjerman Kaymer.
I ardhur nga një familje që adhuronte golfin, Kaymer i hodhi topat e parë si dhjetëvjeçar, në klubin e golfit, në Matman. Deri më tani golfi profesionist në Gjermani ka qenë i lidhur me emrin e Bernard Langer. Por, edhe pse ylli i deritanishëm Langer ishte i mrekulluar nga loja e Martin Kaimerit, modeli i këtij të fundit mbeti afrikano-jugori, Ernie Els, i cili që para tri vjetësh kishte deklaruar për lojtarin gjerman, Kaymer: "Ai do të bëhet i madh. Ai ka çdo gjë që duhet të ketë një yll golfi“.
Me gjithë sukseset e tij, lojtari profesionist preferon që jetën e tij private ta shijojë larg nga vëmendja e të tjerëve, gjë e cila pas triumfit të tij do të ndryshojë krejtësish.
Autor: Nestler/ Ajete Beqiraj
Redaktoi: Aida Cama