1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje në minutën e fundit - Përfundon konferenca e OKB-së në Bangkok për klimën

Nicola Glass5 Prill 2008

Në fund negociatorët nga 163 shtete ia dolën të merren vesh në Bangkok për një agjendë për marrëveshjen e re globale për mbrojtjen e klimës.

https://p.dw.com/p/Dcfe
Sekretari i Përgjithshëm i KB Ban Ki-moon duke iu drejtuar të hënën përmes videos konferencës për Ndryshimin e Klimës në Bangkok.Fotografi: AP

Ishte një marrëveshje në minutën e fundit, debatet kishin zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Me sa duket rreth 1.200 delegatët nga më shumë se 160 vende nuk donin të largoheshin duarzbrazur nga vendi i takimit në Bangkok. Pjesëmarrësit u morrën vesh për një plan pune për marrëveshjen e re botërore për klimën. Kjo do të vazhdojë punën e Protokollit të Kiotos që përfundon në vitin 2012 dhe do të nënshkruhet në 2009-ën në Kopenhagen. Drejtori i këshillit të Kombeve të Bashkuara për klimën Yvo de Boer ishte i lodhur por i kënaqur:


'Treni për Kopenhagen u largua nga stacioni.'


Por deri atje është ende një rrugë e gjatë. Orientimet e negociatave nuk kanë ndryshuar që prej konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Bali. Derisa Bashkimi Evropian synon një rol udhëheqës të shteteve të industrializuara perëndimore në kufizimin e gazrave të efektit serë, të dëmshme për klimën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të bashkëpunojnë vetëm në qoftë se Kina dhe India zotohen për shkurtime drastike të emetimeve të dioksidit të karbonit. Megjithatë drejtori i këshillit të OKB-së për klimën u shpreh optimist:


'Plani i punës për vitin e ardhshëm u pranua dhe kjo do të thotë, që ne kemi me SHBA në tryezën e negociatave një program pune se si mund t'i shpiem përpara orientimet e negociuara në Bali.'