Liria e shtypit në rrezik? | Gjermania | DW | 05.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Liria e shtypit në rrezik?

Aferat e përgjimit të gazatarëve nga ana e BND-së dhe BKA-së – Analizë

Përgjimet e gazetarëve janë të paligjshme

Përgjimet e gazetarëve janë të paligjshme

"U preka shumë në fillim. E tëra më kushtoi disa netë pa gjumë," – tregon gazetari Erih Shmidt-Eenboom. "Nuk e kisha të qartë se sa i madh kishte qenë operacioni, sa thellë kanë mundur të hyjnë në jetën private." Shdmit-Eenboomit i duhej të përjetonte diçka, të cilën më parë e konsideronte të papërfytyrueshme. Që nga viti 1993 deri në vitin 1996, plot tre vjet me radhë, ai është përgjuar në mënyrë të rregullt nga shërbimi sekret gjerman, BND. "Nuk di në se mundën t’i zbulonin informantët kryesorë. Cilët kolegë që kanë ardhur tek unë kanë qenë të prekur nga kjo?" Këto dhe gjëra të ngjashme vazhdojnë të brejnë trurin e gazetarit, autor i një libri për pikat e dobta të BND-së.

Presidenti i shërbimit sekret gjerman, August Haning, ndërkohë e ka pranuar që madje edhe në vitin 2003, BND-ja ka analizuar ndonjë letër nga koshi i plehrave të gazetarit. Shefi i shërbimit sekret ndërkohë ka kërkuar falje: Operacionet kanë qenë të paligjshme. Por BND-ja, mbas botimit të librit të tij me titull "Nuhatës pa hundë" – BND-ja, pushteti i paparë në shtet", organet zyrtare ishin përpjekur të gjenin burimin e informacionit, por me sa duket pa i respektuar ligjet, sipas të cilave shërbimi sekret nuk ka të drejtë të kryejë investigime brenda vendit, përveç rasteve kur ky është i rrezikuar. Shefi i BND-së, August Haning, shton, se "shërbimi sekret duhet të kujdeset që të mos dalin informata të rëndësishme jashtë tij. Kjo do të ndikonte mbi aftësinë tonë funksionuese. E pranoj që kemi edhe zona gri," - sqaron ai.

Përgjimi i gazetarit Shmidt-Eenboom nuk ishte i vetmi. Gati në të njëjtën kohë është përgjuar edhe një redaktor i së përjavshmes gjermane, Focus. Zëvendëskryetari i shoqatës gjermane të gazetarëve investigues, Hans Lajendeker e njeh mirë mentalitetin e agjentëve të BND-së. "Agjentët e shërbimit të fshehtë kanë një parim: "Vetëm atë që doni të dini!". Kjo do të thotë, që fqinji nuk duhet ta marrë vesh se çfarë bën tjetri. Kush e ka karakterin e dobët dhe është pak i çmendur, siç janë shumë agjentë, atëherë ndodhin gjera të tilla, kur përgjojnë ndonjë gazetar," - thotë Lajendeker.

Komandoja e observimit, referati "QC 30" ka përgjuar sistematikisht edhe gazetarë, pa përdorur rrugën zyrtare. Njëri prej tyre është vetë Lajendeker, një nga gazetarët më të njohur investigues të Gjermanisë. Në vitin 1995 ai së bashku me një koleg zbuloi në Der Spiegel një skandal të BND-së në Gjermani. Bëhej fjala për gjoja mënjanimin nga ana e BND-së së shitjes së një sasie plutoni, ndërkohë që në të vërtetë të gjithë historinë e kishte provokuar vetë BND-ja. Kur Lajendeker kishte publikuar historinë BND-ja i kishte vënë nga pas spiunë, për të gjetur burimin e informacionit. "Ka kolegë që nuk janë kolegë, këta janë gazetarë që bashkëpunojnë me shërbimet e fshehta. Atyre u duhet ndaluar e drejta e ushtrimit të profesionit. Këta të ashtuquajtur kolegë mund t’i përçmosh, por ata bëjnë pjesë në këtë botë."

Presidenti i BND-së, August Hanning u ka kërkuar falje edhe gazetarëve të tjerë nën survejim. Por Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) nuk mjaftohet me kaq. Ajo kërkon sqarim deri në fund. Kryetari i saj, Mihael Konken, thotë se BND-ja nuk është e interesuar ta sqarojë situatën: "E keqja për ata ishte që ky rast doli në publik. Jam i sigurtë, që nuk është BND-ja e vetmja që ka marrë masa të tilla, por ato bëhen edhe me pëlqimin e zyrës kancelare. Ata tani përpiqen të hedhin edhe më shumë mjegull, në mënyrë që ky rast të dalë sa më shpejt nga debati në publik. Është detyra jonë të investigojmë në këtë çështje," - thotë Konken.

Mospërfillëse ndaj lirisë së shtypit dhe bazës ekzistenciale të gazetarit Bruno Shirra po sillet tani edhe Zyra Kriminale Gjermane (BKA), në rastin e aferës "Cicero". Organet zyrtare e akuzojnë kryeredaktorin e revistës së përmuajshme nga Berlini për ndihmë në nxjerrjen e sekretetit shtetëror. Kjo pasi ai pati publikuar materiale nga një raport i BND-së për terroristin al Sarkavi. Ky raport gjoja i besueshëm u ka rënë në dorë edhe gazetarëve të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Për shembull, francezit Zhan-Sharl Brizarit, i cili e citon këtë dokument, në librin e publikuar në fillim të vitit. "Sarkavi: fytyra e re e Al kaidës." Pra përse kaq shumë vorbull rreth e përqark Shirrës? " Sipas mendimit tim, ky dokument nuk kishte si qëllim të gjente boshllëqet dhe pikat e dobëta në zyrën kriminale të Gjermanisë, por të zbulohej se cili politikan informonte cilin gazetar. Kjo është aresyeja, sipas mendimit tim, se përse edhe mua më ra në dorë ky dokument," - thotë Shmidt-Eenboom në një intervistë televizive të transmetuar para disa kohësh në Gjermani.

Është ende e paqartë se përse ky operacion iu drejtua gazetarit Bruno Shirra, kur edhe të tjerët ishin në dijeni të këtij dokumenti. Megjithëse nuk mund t’i dëshmohet që ka bashkëpunuar për nxjerrjen e sekretit shtetëror, BKA-ja po përpiqet ta dëmtojë. Para disa kohësh, presidenti i saj, Jërg Cierke, u shpreh në publik, se Shirra në vitin 2003 u ka ofruar bashkëpuntorëve material për grupin terrorist kurd, Ansar al Islam. Shirra e ka hedhur poshtë me forcë këtë akuzë. Gazetari i specializuar për Lindjen e mesme e ndjen veten në rrezik: "Zoti Cirke shprehet në mënyrë të tillë, që kjo atmosferë paranoike tu sjellë gazetarëve më shumë se vetëm ushqim të helmuar. Kjo vë në rrezik komplet jetën time. Kjo do të thotë, që kërcënimet kanë filluar të vijnë që tani, në formë shkrimesh, telefonatash, ku për shembull thuhet që duhet të mendohem 15 herë para se të shkoj në Pakistan ose Iran," - ankohet Shirra.

Mbas këtyre ngjarjeve, ekspertët e shohin lirinë e shtypit në rrezik. Edhe komisioni parlamentar që është përgjegjës prë shërbimet sekrete ka angazhuar një ekpert për t’u marrë me këtë çështje. Hans-Christian Shtrëbele, antar i grupit hetimor në Bundestag, parashikon që hetimet të zgjasin.

  • Data 05.12.2005
  • Autor Andreas Burmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar26
  • Data 05.12.2005
  • Autor Andreas Burmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar26