1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji i antiterrorit në ShBA & Barometri politik në Gjermani

30 Shtator 2006

Nga temat e komenteve në shtypin e sotëm veçojmë ligjin e antiterrorit në ShBA dhe humbjen e besimit të zgjedhësve në Gjermani ndaj partive të mëdha të koalicionit qeverisës.

https://p.dw.com/p/Arni

Lidhur me temën e parë në komentin e së përditshmes "wiesbadener Kurier" lexojmë: "Aprovimi me një shumicë të madhe në kongres i të ashtuquajturit ligji i antiterrorit të qeverisë së Bushit do të hyjë si dita e turpit në historinë mbi 200 vjeçare të demokracisë amerikane. Aprovimi i metodave më të ashpra të marrjes në pyetje nënkupton tortura, dëshmi bazuar në të thënat lart e poshtë, deponime nën presion, dhe mosndëshkim penal për ata që ushtrojnë dhunën shtetërore, çdo paragraf i veçantë i ligjit është në kundërshtim ndonëse jo në formulim por me frymën e kushtetutës së vitit 1789. Me një politikë të tillë ShBA i lënë lamtumirën prijësit të lirisë në botë. Në këtë mënyrë Perëndimi do ta humbasë luftën kundër terrorizmit duke iu afruar gjithnjë e më shumë metodave të tij."

"Berliner Kurier" komenton: "Dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm! Kështu shkruhet në ligjin tonë themelor, e po kështu edhe në kushtetutën e ShBA. Presidneti Xhorxh Bush duket se nuk e lexon këtë. Tortura deri në thyerjen e kockave. E vërteta të dalë në dritë prej torturave, kjo duket se është motoja e presidnetit të ShBA. Por ai gabohet! Sepse e vërteta asnjehërë s´del në dritë nën torturë. Ndaj humanistët evropianë dhe amerikanë e kanë hequr torturën si instrument për të vërtetën. Pikërisht sepse dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm, tortura asnjëherë s´duhet të bëhet mjet i politikës. Zotëri Bush duhet t´ju vijë turp!"

Mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "Nürnberger Zeitung": "Nëse senatori republikan Lindsey Graham mendon, se ligji i ri i marrjes në pyetje parashikon një sistem për trajtimin e të burgosurve, me të cilin "mund të jenë krenarë ShBA" tregon, se sa larg është kjo qeveri nga realiteti. Nëse Xhorxh Bushi do të vazhdojë të injorojë të drejtat themelore në ShBA, lind pyetja, çfarë do të mbrojë ai në fund të fundit prej terroristëve."

Kalojmë në temën e dytë humbja e besimit të zgjedhësve ndaj partive të mëdha që qeverisin në Gjermani. Barometri i sapo publikuar politik dëshmon për rënie të dukshme të kuotave të dy partive kryesore.

Lexojmë një pjesë nga artikulli i "Mannheimer Morgen": "Vala e rënies së unionit kristiandemokrat po merr përmasa dramatike. Kancelarja Merkel po e ndjen rritjen e nervozitetit në bazë. (...) Unioni po ngatërrohet në vorbullën e menaxhimit të krizave në politikën e ditës, duke humbur njëkohësisht nga vëmendja linjën kryesore. Askush nuk dëshiron më të dëgjojë shprehjen harbute basta! Të kthehesh tek politika e një Gerhard Shrëderi, zgjedhësit janë velur edhe prej delireve donzhuaneske dhe pragmatizmit të rremë. Eshtë e nevojshme një udhëheqje e qartë."


Një citat nga komenti i "Allgemeine Zeitung": "Për paaftësinë e qeverisë paguan më së shumti unioni kristiandemokrat. Kjo është mës elogjike, sepse zgjedhësit në zgjedhjet e parakohshme i kishin varur shpresat tek Merkeli në vend të Shrëderit dhe tek ndryshimi i koalicionit nga të kuq ekologjistë në të zi të kuq, pasi u bë e qartë që s´kishte tjetër alternativë veç koalicionit të gjerë. Por ky koalicion i gjerë midis dy partive kryesore për fat të keq nuk i është përgjigjur emrit që mban."

Ja se si komenton "Augsburger Allgemeine": "Çështja është: edhe sa duhet të bjerë imazhi i partive tek zgjedhësit, në mënyrë që politikanët ta mbledhin veten dhe të zgjidhin me pragmatizëm problemet e vendit? Gjermanëve u ka ardhur në majë të hundës me këtë luftë të pafund për pozicione."