1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji gjerman kundër diskriminimit edhe më i thellë se direktivat e BE-së

Peter Stützle18 Maj 2006

Qeveria gjermane miratoi së fundi një ligj kundër diskriminimit. Me anë të këtij ligji synohet që qytetarët të mbrohen prej disavantazheve që mund t'u krijohen për gjetjen e vendit të punës, së një banese apo në sfera të tjera të jetës për shkak të ngjyrës, prejardhjes etnike, gjinisë, racës, aftësive fizike, moshës apo preferencave seksuale. Ky ligj do të diskutohet javën e ardhshme në grupet parlamentare dhe do të shtrohet më tej për miratim në parlament dhe në Këshillin federal.

https://p.dw.com/p/Ar0a
Protestë e homoseksualëve për barazi në BE
Protestë e homoseksualëve për barazi në BEFotografi: dpa

Pas disa vonesave në adaptimin e kërkesave të BE-së në legjislacionin e vendit me këto ligje qeveria gjermane i kapërcen madje kërkesat e parashtruara në direktivat e Brukselit. Kështu në këto direktiva ligji për antidiskrimimin kishte të bënte vetëm me rastet e diskriminimit për shkak të ngjyrës, të prejardhjes etnike, të gjinisë dhe të racës. Në Gjermani përveç këtyre kategorive janë përfshirë edhe rastet e diskriminimit për shkak të aftësive fizike, moshës apo preferencave seksuale.

Konkretisht sipas këtij ligji pronarit të një lokali p.sh. nuk i lejohet që t'u refuzojë hyrjen në lokal një çifti homoseksualësh, apo ndonjë të huaji. Po ashtu një punëdhënës nuk ka të drejtë që t'i refuzojë dikujt një vend punë me justifikimin se është i vjetër në moshë. Nga ana tjetër ligji merret edhe me rastet kur një pronar nuk i jep dikujt një banesë me qera, nisur prej racës apo ngjyrës.

Një pikë tjetër ku ligji gjerman i kapërcen kërkesat e BE-së ka të bëjë me faktin, se në rastet e diskriminimit për një vend pune, të drejtën për t'iu drejtuar gjykatës e ka edhe sindikata, madje edhe në rast se personi i prekur vetë, nuk ka ndër mend që të ndërmarrë hapa juridikë.

Shoqatat e punëdhënësve janë tepër të irrituara dhe po e kundërshtojnë me forcë këtë pjesë të ligjit. Bashkë me ta kundër këtyre normave po proteston edhe partia liberale në opozitë. Sipas kësaj partie dhe sipas shoqatave të punëdhënësve, ky ligj vetëm sa do të shtojë pengesat burokratike për firmat dhe nuk do t'u vijë shumë në ndihmë atyre që mund të kenë nevojë për mbrojtje nga ky ligj.

Kryetari i liberalëve, Guido Westerwelle, thotë: "Në rast se do të na duhet të kemi frikë dhe të ruhemi prej një vale aktpadish për shkak diskriminimi në gjykatë, atëhere ata persona që mund të diskriminohen dhe që janë pakicë, as që do t'i ftojë më njeri për intervistë për një vend pune apo për të parë një banesë që jepet me qera nga frika, se ndoshta çështja mund të përfundojë në gjykatë."

Liberalët dëshirojnë që të mobilizojnë anëtarët e kësaj partie në Këshillin federal në mënyrë që të votojnë kundër këtij ligji. Por edhe në rast se do t'ia arrijnë kësaj, votat e tyre nuk do të mjaftojnë për të përmbysur vendimin e Bundestagut, ku partitë në koalicion kanë shumicën.