Larmia kulturore pasuri e kontinentit evropian | Evropa | DW | 17.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Larmia kulturore pasuri e kontinentit evropian

Ministri gjerman i kulturës Berd Neumann flet për prioritetet e BE-së në sferën e kulturës në gjashtëmujorin e presidencës gjermane

Ministri gjerman i kulturës, Bernd Neumann

Ministri gjerman i kulturës, Bernd Neumann

Shumicën e homologëve të tij evropian, ministri gjerman i kulturës Bernd Neuman i ka njoftuar ndërkohë gjatë vitit të parë të punës në këtë post. Solidariteti i tyre vlerësohet lart nga kryetari i ardhshëm i Këshillit të Ministrave.

"Përshembull ne të gjithë jemi të mendimit se në Bashkimin Evropian duhet të rritet rëndësia e kulturës. Kështu qysh tani kemi një solidaritet të ministrave të kulturës nga vendet e ndryshme kundrejt politikës së zakonshme. Nuk mund të vërehet fare, që këtu apo atje, poashtu edhe në Gjermani nëpër komuna të sundoj mendimi: është mirë që ne e kemi kulturën por ka gjëra që janë më të rëndësishme", sqaron Nuemann.

Gjashtë milionë njerëz punojnë në mbarë Evropën në fushën e kulturës. Kështu ka konstatuar së fundi Komisioni i BE-së. Në këtë mënyrë ekonomia kulturore është një faktor vendimtar i cili kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

"Sa i përket vendeve të punës sfera e kulturës dhe mediave është qartë më e madhe sesa industria e automobilëve në Gjermani andaj mund të thuhet se kultura nuk kushton vetëm para, ajo edhe sjell para. Ngritja e rëndësisë së kulturës si faktor ekonomik do të jetë detyrë e jona. Ne duhet të mendojmë bashkarisht, se si mund të përmirësojmë gjendjen dhe çfarë mundësish ekzistojnë për të vepruar bashkarisht", sqaron Neumann.

Por si degë ekonomike kultura duhet të trajtohet ndryshe nga fushat e tjera në të cilat qëllim është integrimi i ekonomive kombëtare, thekson Neumann.

"Këtu vlen ruajtja e larmisë së veçantë në vendet përkatëse. Ajo çfarë e bën Gjermaninë të veçantë është larmia në fushën kulturore e cila kushtëzohet përmes federalizmit. Dhe po të shohim hartën evropiane mund të konstatojmë lirisht se nuk ka asnjë kontinent që ofron një atraktivitet të tillë kulturor, që përmban kaq elemente të ndryshme siç është rasti i Evropës dhe ne duam që të sigurohemi se kjo larmi edhe do të ruhet", thekson Neumann.

Si temë të dytë të rëndësishme për presidencën gjermane të radhës Nuemann përmend një mediatike: rregulloret e punës për televizionin. Parlamenti i Evropës për pezmin e politikanëve gjerman të mediave ka miratuar një version të dokumentit Product Placement, i cili sipas kuptimit gjerman në parim nuk e ndalon të ashtuquajturin 'marketing i tërthortë'. Sipas Bernd Neumann për këtë pikë duhet të diskutohet ende.

"Synim kryesor i vijës orientuese të televizionit është ndryshimi i legjislacionit konform ndryshimeve teknologjike në sferën e mediave që janë bërë në dhjetë vjetët e fundit... Në këtë kuadër do të diskutohet edhe për temën e marketingut dhe kontrollit të programit", sqaron Neumann.

Për të sqaruar këtë temë të ndjeshme dashamiri i filmit, ministri Neumann ka ftuar homologët e tij evropianë të qëndrojnë në Berlin gjatë Berlinales. Kështu ndërkohë që do të mbahet Festivali ndërkombëtar i filmit, me 12 dhe 13 shkurt do të ketë një samit kulturor evropian, ku para së gjithash pritet të theksohet rëndësia e kulturës për integrimin evropian.

Perëndimi është i ndikuar nga krishtërimi, edhe shtetet evropiane nga pikëpamje historike janë zhvilluar ndryshe nga ato në SHBA apo në Kinë. Këta faktorë janë pikërisht ata që krijojnë elementët e përbashkët mes anëtarëve të BE-së. Por prej kohësh në Evropë jetojnë edhe kultura të tjera. Edhe ato duhen kuptuar dhe respektuar.

Integrimi nuk është gjithmonë rruga e vetme, mendon Neumann:"Kjo është problematika që kemi përpara, si do t'ja dalim të krijojmë mundësinë e bashkëjetesës së kulturave. Kjo fillimsiht do të thotë që ta njohësh kulturën tënde. Ne flasim të vetëdijshëm për dialogun e kulturave, po do të ishte gabim të kishe qëllimin e përzierjes së të gjitha kulturave. Unë nuk e cilësoj si të dëmshme, po qe se disa zakone, - madje edhe kur shoh qytetarët turq,- vazhdojnë të mbahen.

Duhet vetëm që ne të informohemi më shumë për ato. Duhet të dimë më shumë për njëri-tjetrin. Që të mendosh se duhet integruar gjithçka, kjo është po aq e gabuar sikundër u veprua me kulturat e ndryshme të krishtere. Por duhet thënë se lidhjet më të forta, elementët më të fuqishëm të përbashkët ndodhen padyshim tek kultura", nënvizon Neumann.

  • Data 17.01.2007
  • Autor Gaby Schuylenburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9B
  • Data 17.01.2007
  • Autor Gaby Schuylenburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9B