″Ky eshte një referendum edhe për Republikën Srpska″ - Zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në BH | Ballkani | DW | 29.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Ky eshte një referendum edhe për Republikën Srpska" - Zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në BH

Edhe 11 vjet pas fundit të luftës, tone nacionaliste dhe ekstremiste dominojnë në jetën politike në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo vihet re edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 1 tetor. Ndarja e thellë etnike vazhdon të jetë edhe më tej problemi kryesor i këtij vendi ballkanik dhe ka penguar të gjitha përpjekjet e një afrimi serioz të Bosnjës ndaj BE.

Rreth 2,7 milionë qytetarët me të drejtë vote nga Bosnjë-Hercegovina do të konfrontohen të dielën me siguri me një nga fletët më të gjata të votimit në Evropë. Sepse në të janë shënuar thuajse 40 parti me 7 mijë kandidatë- po të kesh parasysh madhësinë e vendit, ky është një numër jo i zakonshëm i lartë.

Po ky nuk është "specialiteti" i vetëm boshnjak: ky vend ballkanik ka sistemin më të komplikuar elektoral në të gjithë Evropën. Kështu parlamentin e gjithë shtetit e zgjedhin të gjithë qytetarët së bashku. Rreth 1,7 milionë vetë zgjedhin vec kësaj edhe parlamentin e së ashtuquajturës federatë boshnjako-kroate, të asaj pjese të vendit, në të cilën jetojnë në pjesën më të madhe myslimanë dhe kroatë të Bosnjës. Dhe pjesa që mbetet e zgjedhësve vendos për parlamentin e pjesës së vendit të banuar kryesisht nga serbët, të "Republikës Srpska". Kjo pjesë e zgjedhësve do të përcaktojë më tej edhe presidentin e Republikës Srpska dhe zëvendësin e tij. Vec kësaj, boshnjakët myslimanë, serbët dhe kroatët do të zgjedhin ndaras dhe sipas një celësi etnik shumë të paqartë anëtarin përkatës të presidiumit shtetëror prej tri vetësh. Në fund, duhet të zgjidhen edhe deputetë parlamentesh të dhjetë kantoneve në federatën boshnjako-kroate.

Politikanë me pikëpamje nacionaliste e kanë ndërlikuar edhe më fort të gjithë këtë, duke paraqitur propozime me drejtime diametralisht të kundërta për të ardhmen e vendit. Kështu, ish-ministri i jashtëm dhe shefi i "Partisë për Bosnjë-Hercegovinën", Haris Silajxhic kërkon një shtet të fortë të njësuar dhe eleminimin e menjëhershëm të "Republika Srpskas". Me këtë ai synon të fitojë vota shtesë në radhët e popullatës boshnjake. Kundërshtari i tij në anën serbe është kryeministri aktual i Republikës Srpska, Milorad Dodik. Megjithëse ai është shef i një partie të deklaruar zyrtarisht si socialdemokrate, në fushatën elektorale ai përdori tone ekstremiste nacionaliste. Pa mëdyshje e kërkoi Milorad Dodik shkëputjen e pjesës serbe të vendit nga Bosnjë-Hercegovina:

"1 Tetori është njëkohësisht një referendum për "Republikën Srpska."

Deklarata të tilla dhe të ngjashme mund t'i sjellin Milorad Dodikut, një beniamini të dikurshëm të bashkësisë ndërkombëtare, shumë vota nga serbët e Bosnjës. Sepse me këtë ai pozicionohet edhe më fort djathtas se sa partia ekstremiste nacionaliste Partia Demokratike Serbe, SDS, e cila qeveris thuajse pa asnjë ndërprerje.

Përfaqësuesit e shumtë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë përpiqen ta qetësojnë situatën, por deri tani me pak sukses. Kështu përfaqësuesi më i lartë i Komisionit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, Michael Humphries ka përsëritur ditët e fundit para zgjedhjeve thuajse cdo orë pikëpamjet e BE, të cilat mbështeten edhe nga qeveria amerikane:

"Diskutimet për një "referendum" janë vetëm një harxhim kohe, ato e destabilizojnë vendin dhe nuk do ta bëjnë fushatën elektorale më të mirë dhe më të thjeshtë."

Këtë pikëpamje e mbron edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, kristjandemokrati Kristjan Shvarc-Shiling. Pas zgjedhjeve atë e pret detyra e vështirë, për t'i vendosur në një tryezë përfaqësuesit politikë të të gjitha grupeve etnike.

Vëzhguesit shohin pak shanse që protagonistët aktualë të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë konstruktive për të mirën e popullatës. Bosnjë-Hercegovina ka nevojë urgjente për reforma rrënjësore të sistemit politik. Sepse administrata e fryrë për shkak të ndarjes etnike të vendit gëlltit thuajse dy të tretat e buxhetit shtetëror. Elita politike e vendit megjithatë nuk ka fare probleme me një situatë të tillë dhe ka shumë mundësi që edhe pas një tetorit t'i bllokojë ndryshimet e nevojshme.

  • Data 29.09.2006
  • Autor Benjamin Pargan
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcE
  • Data 29.09.2006
  • Autor Benjamin Pargan
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcE
Reklamë