1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ahmadineschad Westen

15 Qershor 2009

Megjithë protestat dhe çështjet që kanë dalë pas fitores zyrtare në zgjedhje Perëndimit do t'i duhet sërish të flasë me Ahmadinexhadin

https://p.dw.com/p/IA8r
Revista Newsweek
Fotografi: DW

Një komentator izraelit e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve në Iran me vërejtjen se, në thelb, rizgjedhja e Ahmadinexhadit nuk është kaq e keqe për politikën izraelite. Edhe Xhorxh Bushi - po të kishte qenë ende në post, do të kishte fërkuar duart i kënaqur: Irani si shëmbëlltyrë e armikut në këtë mënyrë qendron ende në këmbë. Ndryshe duhet të mendojë pasardhësi i Bushit, Obama, dhe ai bëri mirë që para zgjedhjeve në Iran u tregua i përmbajtur dhe që nuk shprehu preferenca. Mirë, sepse rizgjedhja duhej llogaritur gjithsesi (edhe nëse jo në kushtet e përjetuara tani) - dhe sepse lëvdatat nga Shtëpia e Bardhë do të kishin shkatërruar çdo kandidat, që përpara se të nisnin votimet. Kjo me shëmbëlltyrën e armikut vlen edhe për anën tjetër. Ahmadinexhadi e mallkon edhe pas zgjedhjeve kundërshtarin e tij të mundur si dorë të zgjatur të Perëndimit; kjo përshtatet me imazhin, të cilin ai kujdeset ta ruajë si ruajtës i revolucionit dhe "hakmarrës i atyre që u kanë marrë të drejtat."


Megjithë sharje të tilla, presidenti i rizgjedhur dëshiron të flasë edhe me botën e jashtme, para së gjithash me SHBA. Po jo, si bie fjala, për çështjen atomike, por për të drejtat e njeriut, për rolin e gruas dhe për konfliktin në Lindjen e Afërt - pra për temat "standarde" të Perëndimit, kur bëhet fjalë për Iranin. Ahmadinexhadi dëshiron t'i sqarojë Obamas se ç'pamje mund të ketë një botë e re dhe më e mirë. Një botë, në të cilën nuk do ta kenë fjalën vetëm disa pak vetë, por popujt në të gjithë botën. Këtu atij i përshtatet fitorja në shtëpinë e tij, por Obaman kjo nuk pritet ta impresionojë.


Megjithatë: presidenti amerikan dhe aleatët e tij më të rëndësishëm e dinë prej kohësh, se kërkesa e deritashme për ndërprerjen e pasurimit të uraniumit nuk është e zbatueshme. Dhe se kjo kërkesë do të kishte ndeshur në vesh të shurdhër edhe në kandidatë të tjerë presidencialë. Jozyrtarisht Iranin kanë filluar që ta shohin si fuqi atomike. Edhe një anketë e zhvilluar tani në Izrael tregoi se shumica e kanë pranuar këtë fakt. Por nga kjo dialogu nuk bëhet më pak i rëndësishëm.


Në 30 vitet e fundit është mbledhur shumë material konflikti, sa tani të pritej edhe katër vjet - pa pasur siguri për përfundimin - për elemiminin e tij. Që ta themi edhe njëherë fare thjesht: një bazë për dialogun ekziston gjithsesi: Irani nuk ka dëshirë që t'i tregojnë rrugën, dhe pikërisht këtë e refuzon edhe Obama.


Që në heshtje edhe në Uashington do të kishin dëshiruar një partner më të këndshëm bisedimesh - për këtë nuk ka dyshim. Por ja që njeriu nuk mund t'i zgjedhë armiqtë e tij dhe dallimet në qendrime ai duhet t'i diskutojë pikërisht me ta. Iranianët - dhe me siguri jo vetëm të zhgënjyerit midis tyre do ta përshëndesin me siguri një zhvillim drejt dialogut. Ata nuk mund të jenë të interesuar për dhunë dhe trazira: ato sjellin vetëm vuajtje dhe shtypje të re.

Autor: Peter Philipp
Redaktoi: Pandeli Pani