Kufiri perëndimor polak kthehet në kufi të jashtëm të BE
23 Nëntor 2007Por që prej datës 21 dhjetor, e ashtuquajtura Zonë e Shengenit do të zgjerohet me shtetet e Evropës Lindore, anëtare të BE, si dhe me Maltën. Kështu, edhe në kufirin me Poloninë liria e re e lëvizjes bëhet realitet- e në këtë mënyrë kufiri perëndimor polak kthehet në kufi të jashtëm të BE.
Roman Lubinski nuk e fsheh dot zhgënjimin e tij. Që prej shumë muajsh drejtori i mbrojtjes polake të kufirit pati bashkëpunuar si me politikën gjermane, ashtu edhe me policinë federale. Dhe tani, pak ditë para eleminimit të kontrolleve kufitare për personat në kufirin gjermano-polak, atij i duhet të dëgjojë vizione me të vërtetë të tmerrshme: "Për të folur ndershmërisht, unë çuditem që pikërisht gjermanët, që na ndihmojnë më shumë, kanë edhe dyshimet më të mëdha, a jemi të përgatitur ne si duhet për t'u anëtarësuar në Shengen. Kjo në një kohë që pikërisht policia gjermane duhet të theksonte se ne jemi të përgatitur shumë mirë. Ne i kemi përfunduar të gjitha kontrollet që na janë bërë nga ana e BE me rezultate të shkëlqyera."
Që prej 21 dhjetorit, traversat në kufirin gjermano-polak do t'i përkasin së kaluarës. Kontrollet e personave eleminohen, ashtu siç është bërë përditshmëri në kufijtë e brendshëm të BE që Gjermania ka me Danimarkën, Francën dhe Hollandën. Për këtë, mbrojtja e kufirit të jashtëm të BE në Lindje, prej 1.200 km merret përsipër vetëm nga mbrojtja polake e kufirit. Por edhe atje, vizioni i hordhive të emigrantëve ilegalë ose i trafikantëve të njerëzve që presin nuk ka të bëjë aspak me realitetin, thotë drejtori polak i mbrojtjes së kufirit, Lubinski: "Kontrabanda në kufirin lindor është para së gjithash kriminalitet i vogël. Këtu kemi të bëjmë me të ashtuquajturat milingona, të cilat kalojnë përtej kufirit sasi të vogla alkooli dhe cigaresh. Përkundrazi, kriminalitetin e organizuar, i cili për biznesin e tij përdor para së gjithash itinerare kamionësh, ne e kemi eleminuar në masën më të madhe. Vetëm ditët e fundit, patrullat tona mobile në kufirin gjermano-polak ndaluan disa kamionë kontrabande".
Zemra e sigurimit të kufirit të jashtëm të BE është i ashtuquajturi sistemi informativ SIS, me të cilin vendet e Shengenit mund të këmbejnë të dhëna për persona dhe sidomos për persona në kërkim. Kështu për shembull, nëse një qytetari i refuzohet në Itali hyrja në BE, ky person në të njëjtin moment nuk do të kishte shans më as në kufirin polak. Vetëm në fazën testuese të sistemit informativ, rreth 3 mijë të huajve iu refuzua hyrja në Poloni. Për shumë njerëz, eleminimi i kontrolleve në kufirin gjermano-polak është një hap tjetër në drejtim të Evropës së bashkuar, mendon personi kryesor i mbrojtjes polake të kufirit, Roman Lubinski: "Shumë njerëz gëzohen që do të hiqen kontrollet e kufirit natën e 21 dhjetorit. Një eufori të tillë ne e kemi ndjerë me të hyrë në BE. Në mesnatë, njerëzit u mblodhën dhe secili prej tyre donte të kalonte kufirin. Dhe unë mendoj se këtë herë nuk do të jetë ndryshe."