KOMRA zbardh krimet e luftës në ish Jugosllavi 1991-2001
30 Nëntor 2010Disa qindra shoqata civile, duke përfshirë edhe shoqatat e viktimave, veteranëve, familjarëve, të personave të zhdukur, shoqata e të burgosurve të luftës dhe individë të shquar nga hapsirat e ish Jugosllavisë kanë krijuar koalicionin për nismën KOMRA që ka si qëllim krijimin e një Komisioni të pavarur rajonal i cili do të vërtetojë dhe të publikojë faktet mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në periudhën 1991-2001 në vendet e ish Jugosllavisë. Iniciatorët e KOMRA-s nga Maqedonia, Serbia, Kosova, Bosnja, Mali i zi dhe Kroacia janë të mendimit se me formimin e komisionit do të kontribuohet në zbardhjen e krimeve të luftës nga e kaluara. Është me rëndësi se KOMRA do të jetë jashtë trupit gjykues dhe nuk do të përzihet në përgjegjësitë e gjykatave dhe proceseve të cilat janë në rrjedhë e sipër.
“ KOMRA paraqet platformë të viktimave dhe përmes saj do të mund të dëgjohet zëri i viktimave pasi vleresojmë se proceset të cilat po zhvillohen pas përfundimit të luftërave në ish Jugosllavi nga viti 1991 deri në përfundimin e luftës në Maqedoni në vitin 2001 nuk janë të mjaftueshme për proceset e pajtimit”, thotë Boro Kitanovski koordinator i iniciativës KOMRA për Maqedoninë.
Iniciativa KOMRA miraton dhe respekton vendimet e saj me shumicë
Vetëm qasja rajonale do të mund të nxjerr në shesh të gjitha rastet për krime lufte. Komisioni mund tu ndihmojë shumë prokurorive për krime lufte me sigurimin e provave, me inkurajimin e dëshmitarëve të viktimave që të marrin pjesë në gjykimet për krime lufte si dhe në organizimin e dosjeve mbi rastet e caktuara. Iniciativa KOMRA është unike dhe meriton mbështetje afatgjatë, thotë Gordana Duvnjak, anëtare e KOMRA-s në Maqedoni. Jo gjithnjë kemi qëndrime identike, por ajo që është me rëndësi ka të bëjë me faktin se vendimet në KOMRA miratohen dhe respektohen me shumicë.
“Një nga qëllimet e kësaj iniciative është që rajoni të kalojë përmes një katarze shoqërore dhe ti jap një përkushtim të merituar të gjitha viktimave në ish hapësirat e Jugosllavise”, thotë Duvnjak.
KOMRA edhe me përfaqësues nga Serbia dhe Kosova
Nuk mund të ketë pajtim pa e mësuar të vërtetën, thotë Boro Kitanovski duke veçuar rastin se në KOMRA ka përfaqësues nga Serbia dhe Kosova.
“ Është bukur të shihet që pas luftërave të përgjakura në ish Jugosllavi ende egzistojnë njerëz në këto hapësira që janë të gatshëm bashkarisht të diskutojnë për fatin e viktimave dhe përpjekjet që bëjnë për të arritur pajtimin”, thotë Boro Kitanovski.
Kryetari i Asociacionit për Iniciativa Demokratike, Lulzim Haziri , i jep mbështetje të plotë funksionimit të KOMRA-s.
“Jo rastësisht shoqëria civile e ka përkrahur këtë iniciativë me besimin se duke e sqaruar të kaluarën, më lehtë do të ecim në të ardhmen dhe jo rastesisht mandati i këtij Komisioni është përcaktuar që të jetë nga viti 1991 deri në vitin 2001, që do të thotë se i ka përfshirë edhe ngjarjet që ndodhën në Maqedoni në vitin 2001”, thotë Lulzim Haziri.
Nismën KOMRA deri në vitin e ardhshëm pritet ta mbështesin të gjitha qeveritë dhe parlamentet e vendeve të ish Jugosllavisë.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi