1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karollos Papulias flet për angazhim më të madh të BE në Kosovë

Niko Anagnosti28 Mars 2007

Presidenti grek Karollos Papulias edhe ai hungarez Laszlo Solyom shprehën shqetësimin e përbashkët të vendeve të tyre nga një formë e statusit të Kosovës që nuk do të jetë rezultat i konsesusit midis Prishtinës dhe Beogradit

https://p.dw.com/p/ArX9
Takim i nivelit të lartë të BE-së, Athinë 2003
Takim i nivelit të lartë të BE-së, Athinë 2003Fotografi: AP

"Cilido që te jetë vendimi i Keshillit të Sigurimit per statusin e Kosovës na intereson të gjithëve e nesërmja e një rezultati të tillë, që duhet të jete paqja dhe stabiliteti i rajonit me te gjerë" deklaroi në Prishtinë Jorgos Papandreu, stacioni i dytë pas Beogradit i turneut te socialistëve evropianë gjatë të cilit u shpreh me forcë nevoja e një angazhimi më të madh të Bashkimit Evropian.

Me moton në fjalë, që shpreh edhe një nismë të mëparshme të saj për dëgjimin e zërit edhe të fqinjëve të rajonit, Athina zyrtare edhe në fazën aktuale, me propozimin e Ahtisaarit në tavolinën e Këshillit të Sigurimit, pra kur zaret janë hedhur, aktivizohet në të gjitha nivelet e saj politike me çështjen e Kosovës si top-temë në axhenden e saj diplomatike.

Ashtu si para një jave në Zagreb edhe në Budapest gjatë vizitës së tij triditore presidenti grek Karollos Papulias edhe homologu i tij hungarez Laszlo Solyom, me avantazhin edhe të flexibilitetit që u jep pozita e tyre institucionale, i mëshuan shqetësimit të tyre të përbashkët nga një zgjidhje që nuk do të jetë produkt i konsesusit midis Prishtinës dhe Beogradit.

"Të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë se ekziston rreziku i një shpërthimi dramatik të problemit të Kosovës" tha Papulias, i cili duke iu referuar edhe të kaluarës konfliktuale sugjeroi "kujdes të madh" duke e cilësuar problemin e Kosovës "një problem të madh edhe delikat". Duke ndarë të njejtin mendim dhe pa u prononcuar, sigurisht, ndaj propozimit konkret të Ahtissarit, presidenti hungarez theksoi shprehimisht se zgjidhja "në asnjë rast nuk duhet të çojë në forcimin e nacionalizmit në Serbi".

Ashtu si homologu i tij grek që e cilësoi vendin e tij "ithtar të "kursit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit perendimor" dhe në këtë kontekst u shpreh "për marrëdhënie inkurajuese" të Brukselit me Beogradin, Solyom tha se ndau të njejtin mendim me bashkëbiseduesin e tij se "porta evropiane duhet të mbetet e hapur edhe për Turqinë me kusht që të plotësojë kriteret".

Motoja e tyre e përbashkët ishte se "vendet e Ballkanit perendimor duhet të integrohen sa më shpejtë në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të krijohet për të gjithë një hapësirë evropiane paqeje".