1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapitull i ri në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë

4 Nëntor 2010

Me kërkim falje dhe nderim ndaj viktimave në Vukovar hapet një kapitull i ri në zhvillimin e marrëdhënieve ndërfqinjërore mes Kroacise dhe Serbisë. Ky ishte mesazhi i presidentëve, Tadiq dhe Josipovic në Vukovar

https://p.dw.com/p/Pyc6
Presidenti kroat, Ivo Josipovic, me presidentin serb, Boris Tadic, në Vukovar, 4 nëntor 2010Fotografi: AP

Vizita e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Vukovar sipas protokollit është karakterizuar si jozyrtare, gjë që për kundërshtarët e Tadiqit është argumenti kryesor, me të cilin deshirojnë të zvogëlojnë domethënien e nderit, që do t´iu bëhet viktimave të Vukovarit, ku në nëntor të vitit 1991 u vranë dhe u varrosën në varrezë masive 200 mbrojtës të civilëve nga Vukovari.

Kërkim falje dhe pajtim

Boris Tadic Kranzniederlegung
Presidenti serb, Boris Tadic, vendos një qiri në përmendoreFotografi: AP

„Këtu jemi që t´u bëjmë homazhe viktimave dhe t´u shprehim respekt dhe nderime“, deklaruan të dy presidentët.

„Ovčari është një vend i dhimbjes dhe i rënies se njerëzve, të cilët janë viktima të një politike të pakuptimtë. Jemi këtu, që t´u bëjmë homazhe viktimave, t´u shprehim ngushëllime familjeve, por edhe të premtojmë se asnjë krim nuk do të mbetet i padënuar“, tha kreu i shtetit kroat, Ivo Josipović.

„Këtu jam, që duke i nderuar viktimat, edhe një herë të kërkoj falje dhe të tregoj keqardhjen. Duke u rrëfyer për krimin, duke kërkuar falje dhe duke shprehur keqardhje, krijohen rrethanat për falje dhe pajtim. Kur popujt tanë të pajtohen, hapet një e ardhme e re. Dhe për këtë konsideroj se e gjitha, që ka ndodhur në mes të serbëve dhe kroatëve në shekullin 20-të, duhet të varroset në librin e së kaluarës dhe ky akt paraqet fillimin e shkrimit të librit të ri të së ardhmes“, u shpreh presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Nxitje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kroatien Gedenkstätte Ovcara Präsident Ivo Josipovic
Presidenti kroat, Ivo Josipovic, në përmendoren në Ovçari, VukovarFotografi: DW

Boris Tadić tha se vendi i tij dëshiron të zhvillojë politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit.

„Politikën, e cila presupozon pajtimin. Politikën, e cila krijon mundësi për njerëzit. Politikën, e cila është krejt e kundërt nga politika e viteve 90-të“, tha Tadiq.

Njëkohësisht Josipoviq shprehu dëshirën që: „Ngjarja e sotme të jetë para së gjithash një nxitje e re për zbardhjen e fatit të të pagjeturve“.

Dhe pikërisht fati i të pagjeturve është temë, për të cilën angazhohet edhe kryministrja kroate, Jadranka Kosor. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Tadić solli nga Beogradi dokumentat e spitalit të Vukovarit me të dhëna të sakta për numrin e pacientëve në nëntor të vitit 1991. Ndërsa nëse ekziston ende ndonjë varrezë e pazbuluar në rrethina të Vukovarit, përgjigje eventuale mund të japin edhe serbët në Kroaci, të cilët sipas shkrimeve të disa gazetave beogradase presidenti Tadiq do t´i inkurajojë të flasin, nëse kanë ndonjë informatë.

Protestë kundër ardhjes së Tadiqit në Vukovar

Që presidenti serb, Boris Tadiq, nderon viktimat në Ovçar, kjo për shumëkënd është një hap përpara drejt pajtimit të dy popujve dhe shteteve. Por jo për të gjithë. Presidenti i Partisë Kroate të së Drejtës, Daniel Srb, në këtë akt nuk sheh asnjë justifikim për bëmat e Sllobodan Millosheviçit dhe sipas tij kjo është vetëm një vizitë private pa asnjë marrëdhënie personale me viktimat. Dhe megjithëse anijeve për në Vukovar për disa orë iu ndalua lundrimi në Danub, përveç tragetit, që sillte presidentin Tadiq dhe edhe pse me arritjen e tij në Vukovar u prit nga qindra vukovaras me duartrokitje, rrugës deri në Ovçar u prit edhe nga protestues të thirrur nga Partia Kroate e së Drejtës.

Kroatien Gedenkstätte Ovcara Proteste
Protestë kundër Presidentit Tadic në OvçariFotografi: DW

Mysafirit nga Beogradi ata i adresuan mesazhet si: „nuk mjafton të kërkosh falje“, „nuk je i mireseardhur“, „përse jozyrtarisht?“, "Ivo po vepron gabimisht“. Ndërsa në memorialin e luftës në Ovçar ishin mbledhur rreth 50 gra nga Vukovari, Lovasi dhe Sotini, të cilat protestën kundër ardhjes së Tadiqit e kanë shprehur me lutje.

Autore: Tatjana Mautner/Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica