1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interesa të përbashkëta në fushën e sigurisë

Thomas Nehls18 Prill 2007

Ministri gjerman i mbrojtjes nis udhëtimin në Azi / Temë në Kinë edhe Kosova

https://p.dw.com/p/Aqwr
Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung mbërriti në Kinë
Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung mbërriti në KinëFotografi: AP

Me vizitën e tij në Pekin ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung hapi sot udhëtimin e tij triditor në Azi. Në Pekin ai takohet me zëvendëspresidentin Zeng Qinghong dhe me ministrin e mbrojtjes Cao Gangchuan. Jung udhëton nesër në Japoni dhe pasnesër në Korenë e Jugut.

Ndalesa e parë në udhëtimin triditor është më shumë sesa një vizitë pune e megjithatë pritjet nuk janë tepër të mëdha. Franz-Josef Jung takohet si me homologun e tij Cao ashtu edhe me zëvendëspresidentin kinez Zeng, por mysafiri nga Berlini mendon se plotësimi i dëshirës së Pekinit për heqje të embargos së armëve është po aq e largët sa ç'ka qenë.

"Do të bëj të qartë këtu se ekziston ende konsensus në Bashkimin Evropian për vazhdimin e embargos së armëve. Ju e dini që arsyeja për këtë ishte gjendja e të drejtave të njeriut dhe do të kishte kuptim që Kina të jepte shenja dhe të diskutonte më tej për çështjet."

Në të njëjtën kohë ka interesa të shumta, të përbashkëta për sigurinë, gjykon në mbritje Franz-Josef Jung. Ai përmendi qëndrimin e njëjtë në refuzimin e armëve të mundshme bërthamore iraniane si dhe vazhdimin e bisedimeve me Korenë e Veriut për të çimentuar heqjen dorë atje nga armatimi bërthamor. Ai theksoi miratimin nga Pekini të angazhimit të OKB-së në Sudan dhe lavdëroi mbështetjen kineze në trajnimin e policisë në Kosovë. Por natyrisht aty mbetet të zbatohet propozimi i të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit - me ndihmën kineze.

"Tema gjendet tani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në këtë mënyrë edhe nga Kina kërkohet drejtpërdrejt që të arrijmë menjëherë sukses. Besoj se për zhvillimin e ardhshëm paqësor të Kosovës na nevojitet një zgjidhje pozitive e çështjes së statusit."