1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindja atomike me Iranin në Këshillin e Sigurimit

10 Mars 2006

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë zëra lidhur me kalimin e grindjes për programin atomik të Iranit në Këshillin e Sigurimit. Pas këtij vendimi të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike presidenti iranian Mahmud Ahmedinexhad sërish ka theksuar të drejtën e vendit të tij për përdorimin e energjisë atomike.

https://p.dw.com/p/Arr0
Iranianë demostrojnë para selisë së OKB-së, Vjenë
Iranianë demostrojnë para selisë së OKB-së, VjenëFotografi: AP

Gazeta "Handelsblatt" që del në Dyseldorf nuk beson, se në Këshillin e Sigurimit do të arrihet një zgjidhje:

"Arësyet për dështimin e parashikueshëm janë të shumëanshme, por në thelb ato reduktohen në tri aspekte: 1. Nuk ka konsensus në Këshillin e Sigurimit lidhur me rrezikun faktik prej programit bërthamor iranian. 2. Kredibiliteti amerikan është dëmtuar rëndë qysh prej luftës në Irak. 3. Praktikisht nuk ka opcione të qëndrueshme që mund ta ndalnin rrjedhën e ngjarjeve. (...) Rusia dhe Kina ndoshta e kuptojnë, që një ditë do të duhet të ndërmerren masa, por ato nuk janë të gatshme që për një opcion teorik të sakrifikojnë ineteresat e tyre strategjike dhe ekonomike", shkruan "Handelsblatt".


"Märkische Oderzeitung" e Frankfurtit ka mendim të ngjashëm:

"Lidhur me sanskionet Mullahët vetëm mund të qeshin, pasi ato do të prekin kryesisht Perëndimin. Ndaj tani as vet ShBA nuk kërkojnë masa të menjëhershme ndëshkuese, pa folur këtu për Rusinë dhe Kinën. Të dy këto vende kanë antarësi të përhershme në Këshillin e Sigurimit me të drejtë vetoje si dhe kanë interesa të mëdha ekonomike me Iranin. (...) Nëse një zgjidhje diplomatike dështon dhe nuk vendosen sanskionet, atëherë do të përforochet fokusi tek një opcion ushtarak", komenton "Märkische Oderzeitung".

E përdtishmja "Kölner Stadt-Anzeiger" paralajmëron për rastin e mungesës së unanimitetit mes antarëve të Këshillit të Sigurimit duke iu referuar programit atomik iranian:

"Masat ndëshkuese me destinacion të qartë ndaj udhëheqjes fetaro-politike dhe përfaqësuesve të studimeve nukleare mund ta vënë nën presion regjimin, pa i dëmtuar iranianët. Katalogu i masave nis qysh nga kufizimet për udhëtimet jashtë shtetit, deri tek ngrirja e xhirollogarive personale të politikanëve kryesorë si dhe sanskionet ekonomike kundër degës së naftës dhe asaj të energjisë bërthamore. Rusia dhe Kina duhet të kenë mësuar nga lufta e Irakut, se një bllokadë në Këshillin e Sigurimit qysh pas 11 shtatorit 2001 nuk i ndal më ShBA nga veprimet e mëvetsishme. Përkundrazi, kjo mund t´i provokojë ato për vendime të njëanshme", thekson "Kölner Stadt Anzeiger".

Lidhur me pozicionin e Teheranit komentatori i "Badische Tagblatt" vëren:

"Në një pikë argumentat e Iranit janë të kuptueshme: përse nuk u lejohet vendeve të tjera përveç ShBA, Britanisë e Madhe, Francës, Rusisë dhe Kinës që të posedojnë armë atomike? Përse u lejohet një gjë e tillë vendeve si India, Pakistani, Izraeli dhe Korea e Veriut? Gjendja mes Indisë dhe Pakistanit është aq e trazuar, sa vështirë që të besohet se armët bërthamore janë atje në duar të sigurta. Ndaj në Këshillin e Sigurimit duhet të diskutohet, se ç´kuptim ka marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore", shkruan "Badische Tagblatt".

Nga komenti i "Esslinger Zeitung" veçojmë:

"Tani për tani Këshillit të Sigurimit i mbetet vetëm reagimi më i dobët: dënimi i Iranit nga presidenti i Këshillit. Më pas mund të pasojë një rezolutë pa kërcënime të vërteta për sanskione. Se sa pak efekt kanë të tilla iniciativa këtë e kanë dëshmuar rezolutat e shumta kundër Izraelit dhe së fundi kundër Sudanit. Grindja mes Iranit dhe ShBA megjithatë do të vazhdojë. Fundi i krizës nuk dihet", shkruan "Esslinger Zeitung".