1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanisë i nevojiten ide të reja për të ardhmen

Sabine Kinkartz29 Janar 2007

Shanset e zonës ekonomike "Gjermani" të ketë sukses në konkurencën botërore

https://p.dw.com/p/Aqxn
Automobilët e sofistikuar nuk janë të mjaftueshëm për konkurrencën në plan ndërkombëtar
Automobilët e sofistikuar nuk janë të mjaftueshëm për konkurrencën në plan ndërkombëtarFotografi: AP
Kur diskutohet mbi zonën ekonomike "Gjermani" në thelb bëhet fjalë për pyetjen se si mund të bëhet e mundur në vitet dhe dekadat që vijnë të arrihet suksesi në konkurrencën mbarëbotërore për të ruajtur mirëqënien. Për këtë janë të nevojshme në rradhë të parë vende cilësore pune dhe këto janë të lidhura në mënyrë të pandashme me inovacionin. Produkte dhe teknologji të reja duhet të hidhen në treg dhe për to duhet të ketë kërkesë ndërkombëtare. Në thelb kjo strategji nuk është e re dhe aplikohet ndërkohë në Gjermani, siç tregon numri i patentave. Por në të ardhmen kjo nuk do të jetë më e mjaftueshme. Kështu thuhet në një studim të kompanisë së konsulencës për sipërmarrjet, Boston Consulting. Në mënyrë që të jetë vërtet e aftë për të ardhmen Gjermania duhet të bëhet shumë më inovative. Thuhet se për gjermanët makinat janë objektet më të dashura. Nuk është pra për t'u çuditur që sektori i prodhimit të automobilëve në Gjermani është vërtet nga më të mirët. Peter Strüven, shef i kompanisë Boston Consulting e quan këtë disiplinë gjermane parade: "Qoftë kur është fjala për sigurinë, veshjen, materialet, dinamikën e automjetit apo edhe për telematikën, volumi i patentave tona, pra pjesa jonë e patentave në këtë fushë është më e madhja në botë megjithëse ne nuk jemi kombi më i madh." Kompania e konsulencës për firmat ka studiuar rreth 700.000 patenta nga bankat ndërkombëtare të të dhënave, në harkun kohor qershor 1998 - shkurt 2005, nga 17 fushat më të rëndësishme të teknologjisë. Rezultati rendit Gjermaninë, SHBA dhe Japoninë në krye të listës. Por Gjermania, thotë Peter Strüven, jeton nga sukseset e së kaluarës. Fjala është për suksese në të ashtuquajturat teknologji të aplikuara në të cilat rezultatet e kërkimeve transformohen direkt në produkte. Këtu nuk bëjnë pjesë vetëm teknologjitë e përmendura për automobilët por edhe teknika për mjedisin si sistemet për energjinë e erës apo për përfitimin e energjisë nga biomasa, pjesë të teknikës mjekësore si dhe pjesë të gjera të teknologjisë së ndërtimit. Sa i takon patentave për kompjutera, kamera apo MP3-Player Gjermania është shumë prapa: "Në këto industri ne nuk marrim më pjesë dhe jemi larguar de facto nga kërkimi. Në këtë fushë jemi pjesërisht kaq prapa sa nuk ia vlen më të investohet në teknologji parësore," - thotë Peter Strüven. Gjermania duhet të investojë në ato fusha të cilat do të kenë normat më të larta të rritjes në të ardhmen. Fondet për kërkime duhet të riorientohen dhe të fokusojnë fushat më të rëndësishme. Por Joachim Milberg, president i "acatech", asambleja e shkcencave teknike i Unionit të Akademive Gjermane të Shkencave, e kushtëzon këtë me një ndryshim rënjësor mentaliteti: "Inovacion do të thotë të largohesh nga diçka kur ke arritur majën e suksesit për të filluar një projekt të ri. Kjo do të thotë edhe që e vjetra, e konsoliduara të kanibalizohet. Fakti që deri tani nuk kemi guxim të kryejmë këtë proçes nuk e shmang atë, proçesi kështu bëhet vetëm më i dhimbshëm. Në këtë kontekst është interesante të përmendet një citat i Machiavell-it, këshilltarit më të famshëm politik të Rilindjes, i cili ka thënë njëherë se kush krijon diçka të re bën armiq të gjithë ata që ende përfitojnë nga e vjetra." Sa më dimanike janë ritmet e inovacionit në një fushë aq më i keq është pozicioni i Gjermanisë. Kjo megjithëse gjatë vitit 2004 për kërkimin dhe zhvillimin janë shpenzuar rreth 52 miliardë euro. Por në Japoni kjo shifër ka qenë 112 miliardë ndërsa në SHBA madje 241 miliardë. Konkurrenca më e fortë po zhvillohet nga Kina. 34 miliardë dollarët e planifikuar atje për kërkim dhe zhvillim në vitin 2006 do të shtohen për të arritur 85 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2015. Paratë investohen para së gjithash në të ashtuquajturat teknologjitë transversale. Fjala është për teknologji të cilat nuk mund të transformohen direkt në produkte por që kanë rëndësi të veçantë për inovacionet. Konsulenti për sipërmarrjet Strüven e shpjegon këtë me shembullin e makinave të së ardhmes: "Makina e së ardhmes e ka xhamin e përparme me një veshje nano elementesh që ndalon veshjen me avull dhe bën që uji i shiut të rrjedhë si një shtresë e tejdukshme. Dritat e makinës janë me dioda elektrike të cilat nga njëra anë janë më të ndritshme e që njëkohësisht konsumojnë më pak energji. Llaku i makinës është me qeliza solare që bëjnë të mundur rimbushjen e baterive përmes bojës. Pra inovacionet në sektorin e automobilëve dhe sektorë të tjerë do të vijnë nga teknologjitë transversale." Fjala është për zgjidhje inteligjente të cilat si rregull janë ende larg pjekurisë për tregun dhe për firmat zhvillimi i tyre mbart rreziqe përkatëse. Sipas konsultentit Strüven e rëndësishme është që këto rreziqe të zbuten me ndihma financiare. Qeveria gjermane planifikon të shtojë deri në vitin 2009 buxhetin për kërkimet me 6 miliardë euro që do t'i përgjigjej dhe objektivit të Lisbonës të BE-së. Por më shumë fonde për kërkim duhet të kontribuojë edhe ekonomia private e cila vë në dispozicion dy të tretat e gjithë fondeve për kërkimin. Njëkohësisht duhet investuar më shumë në arsim dhe kualifikimin e mëtejshëm profesional. Firmave gjermane u mungojnë që tani 22.000 inxhinierë. Sektori gjerman i kërkimit duhet të punësojë deri në vitin 2010 rreth 100.000 punonjës të tjerë për të mos u shkëputur nga pozicioni kryesues në teknologji në rang botëror. Për Peter Strüven nga Boston Consulting e rëndësishme është të shtohet efektiviteti: "Ne kemi rreth 130 qendra teknologjie, nga të cilat janë konkurruese jo më shumë se 20. Kemi vetëm qendra për bioteknologjinë në Mynih, Berlin, Heidelberg dhe Nordrhein-Westfalen. Ne gjermanët duhet të kuptojmë se nuk konkurrojnë 16 landet gjermane por Gjermania me Japoninë, SHBA, Kinën dhe pjesën tjetër të botës." Kjo duhet kuptuar edhe nga shoqëria e cila duhet të përshtatet më shpejt me ndryshimet.