1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushata zgjedhore në Luginën e Preshevës

Jeton Ismajli15 Janar 2007

Ndërkohë që subjektet politike kryesore po e shfrytëzojnë fushatën zgjedhore për prezantimin e programeve të tyre politike, përfshirë edhe "Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës", njoftohet përfundimi i procesit të listave zgjedhore

https://p.dw.com/p/ArZj

Zyrtarë administrative komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj thonë se në listat zgjedhore janë pëfshirë rreth 50 mijë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote dhe se në këto regjistra nuk është vënë re ndonjë parregullsi.

Duke e shpallur procesin e azhurimit të përfunduar, kryeshefi i administratës lokale në Bujanoc, Emrullah Lutfiu, thekson se tashmë kopjet e listave zgjedhore i janë dërguar edhe Komisionit Qendror Zgjedhor në Beograd.

Emrull Lutfiu, kryeshefi i administratës komunale në Bujanoc shprehet se që nga viti 2002, kur shqiptarët u futën për herë të parë në pushtetin lokal, është punuar shumë në përmirësimin e listave zgjedhore. Megjithatë Lutfiu sqaron, se për ata qytetarë që eventualisht nuk janë përfshirë në regjistrat e votimit, ekziston mundësia ligjore që të evdidentohen përmes gjykatave deri në përfundim të heshtjes parazgjedhore.

Ndërkohë gjatë fushatës zgjedhore në Luginës e Preshevës janë paraqitur edhe problemet e para, të cilat madje janë kategorizuar edhe si incidente të vogla. Në Bujanoc janë dëmtuar pankartat propaganduese të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës të vendosura në qytet. Disa nga pankartat në të cilat figuronte flamuri shqiptar janë ngjyrosur me bojë si edhe janë dëmtuar me elemente të tjera.

Akti është cilësuar si i shëmtuar madje disa qytetarë akuzojnë edhe simpatizantë të Partisë Radikale Serbe se qëndrojnë prapa këtyre veprave. Megjithatë koalicioni i shqiptarëve i përbërë nga dy subjekte politike ka vazhduar me fushatat paraelektorale duke dhënë premtime se do ta përfaqësojnë Luginën e Preshevës në mënyrë adekuate në parlamentin serb.