1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme

Ali Akinci12 Maj 2004

Për herë të gjashtë qytetarët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë thirrur që të votojnë për përbërjen e Parlamentit evropian. Zgjedhjet që tani për herë të parë zhvillohen në 25 vende mbahen mes datës 10 dhe 13 qershor.

https://p.dw.com/p/ArHK

Prej vitit 1979 parlamenti evropian zgjidhet drejtpërdrejtë me votën e popullit. Kjo do të thotë, në secilin vend anëtarë të Bashkimit Evropian qytetarët mund të përcaktojnë deputetët e tyre: përmes zgjedhjeve të përgjithshme, të lira dhe të drejtpërdrejta dhe këtë rregullisht çdo pesë vjet. Zgjedhjet bëhen me lista të kandidatëve dhe sipas sistemit zgjedhor proporcional. Shtetet e mëdha mund të ndajnë rajonin e tyre në zona zgjedhore. Çdo qytetar i Bashkimit Evropian i cili ka mbushur 18 vjet ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje ndërsa për të qenë vet kandidat duhet të ketë mbushur të paktën 21 vjet. Një deputet evropian nuk guxon që njëkohësisht të ketë edhe një mandat për parlamentin kombëtar. Përjashtime bëhen vetëm në Irlandë dhe Britani të madhe dhe atë deri në vitin 2009.

Numri i deputetëve në parlamentin e ri është rritur nga 626 në 732 për shkak të zgjerimit të Bashkimit edhe me dhjetë vende të reja anëtare. Për mandatet gjermane kanë konkuruar 967 kandidatë, në mesin e tyre 287 gra. Ata përfaqësojnë në tërë Gjermaninë 21 parti dhe Aleanca të ndryshme politike.

Mes datës 10 dhe 13 qershor të drejtën për të votuar e kanë rreth 450 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian. Vetëm në Gjermani janë thirrur të votojnë 63,6 milionë qytetarë. Në mesin e tyre janë edhe dy milionë qytetarë të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian të cilët jetojnë në Gjermani dhe duan që poashtu të votojnë këtu. Zgjedhjeve të sivjetme i shtohen katër milionë njerëz që kanë të drejtë të votojnë për herë të parë.

25 vendet e Bashkimit Evropian nuk votojnë në të njëjtën ditë. Fillimisht zgjedhjet mbahen në Britaninë e Madhe dhe Hollandë me 10 qershor, pastaj Irlanda dhe Çekia me 11 qershor si dhe Italia, Letonia dhe Malta me 12 qershor. Të gjitha shtetet tjera në mesin e tyre edhe Gjermania votojnë më 13 qershor.

Nënshtetasitë gjermanë të cilët janë të lajmëruar me vendbanim në një prej 24 vendeve tjera anëtare të BE-së mund të votojnë ose përmes postës apo në vendin ku ata jetojnë. Kryesorja: ata guxojnë të votojnë vetëm njëherë, ose në Gjermani ose në vendin ku jetojnë tani.

Megjithatë të drejtën për të votuar e kanë edhe gjermanët të cilët jetojnë në ndonjë vend jo anëtarë të BE-së. Me një përjashtim: kush jeton më tepër se 25 vjet jashtë territorit gjerman në ndonjë vend i cili nuk është anëtar i BE-së apo Këshillit të Evropës atëherë e humb të drejtën e votës.