1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dritë e gjelbër për Korridorin 8

Viron Gjymshana7 Dhjetor 2005

Ngritja e Korridorit 8, një aks rrugor ky që duhet të bashkojë qytetin bullgar të Varnës në Detin e Zi me Durrësin në Adriatik përfshihet në projektet shtesë të "Rrjetit europian për Paqen dhe Zhvillimin"

https://p.dw.com/p/Aqs4
Komisioni Evropian, Bruksel
Komisioni Evropian, BrukselFotografi: AP

Lajmi që ministri italian i transporteve, Lunardi i kishte transmetuar kryeministrit shqiptar, Berisha se Komisioni Europian kishte ripërfshirë në projektet e tij ngritjen e Korridorit 8, një aks automobilistik ky që duhet të lidhë qytetin bregdetar bullgar të Varnës në Detin e Zi me Shkupin dhe Durrësin, u konfirmua sot në selinë e Komisionit Europian në Bruksel nga komisioneri i BE-së përgjegjës për transportin, Zhak Barro dhe ish - komisioneria Loyla del Palaçio.

Këta zyrtarë bënë të njohur, se pas aprovimit para 2 vjetësh të akseve rrugore që do të bashkonin me njëri tjetrin metropolet kryesore të Europës Perëndimore me vendet e reja anëtare të Europës Lindore, Komisioni Europian ka aprovuar tani edhe një rrjet shtesë tjetër linjash hekurudhore, portuale dhe rrugore që duhet të bashkojnë 25 vendet anëtare të BE-së me 26 vende fqinje, duke përfshirë këtu edhe ato arabike, të Lindjes së Mesme, Rusisë, Azisë Qëndrore etj.

I pagëzuar si Rrjeti i Paqes dhe Zhvillimit këto akse shtesë lidhin me Europën pikat më nevralgjike nga buron nafta në Lindjen e Mesme, Rusi apo Azinë Qendrore. Loyla del Pâlaçio, bëri të ditur se këto akse duhet të jenë ndërtuar deri në vitin 2020 dhe se Komisioni Europian në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Bankën Europian të Investimeve kanë parashikuar një buxhet bazë prej 45 miliardë eurosh. Pjesa tjetër duhet të financohet nga fondet publike dhe private të shteteve nga do kalojnë këto akse shtesë. Ish komisioneria e Bashkimit Europian, që tani kryeson Grupin e Nivelit të Lartë që ka aprovuar akset shtesë, Loyla del Palaçio nënvizoi po ashtu se edhe Pakti i Stabilitetit për Ballkanin mund të lozë roli të rëndësishëm në vënien në jetë të Korridorit 8.

Akset e reja bashkohen me ato të aprovuara nga BE-ja para 2 vjetësh, por ndërsa këto të fundit, duke përfshirë këtu edhe rrugën Egnatia që pasi bashkon Varnën me Stambollin, përshkon gjithë Greqinë duke arritur në Igumenicë të Detit Jon duhet të përfundojë më së voni në vitin 2012, akset e Paqes dhe Zhvillimit duhet përfundojnë në vitin 2020.

Por zyrtarët e Komisionit europian bënë të ditur po ashtu se Korridori 8 do të lidhet edhe me akset e tjera rrugore që bashkojnë Europën, por edhe Rusinë si dhe vendet e Kaukazit.