Dialog politik në Maqedoni me praninë e ndërkombëtarëve
14 Dhjetor 2006
Me iniciativë të ambasadorit të BE-së, Ervan Fuere dhe ambasadores së SHBA-ve, Xhillijan Millovanoviq është realizuar edhe një takim i nivelit më të lartë të katër partive më të mëdha në Maqedoni, PDSH,BDI,LSDM dhe VMRO-DPMNE. Dialogu politik midis subjekteve më relevante në vend është domosdoshmëri për Maqedoninë në procesin drejt integrimeve euroatlantike, vlerësojnë diplomatët e huaj.
Ndryshimet kushtetuese, rregullorja e Parlamentit, përbërja e Komitetit të bashkësive etnike, Ligji për prokurorin publik dhe Ligji për bashkësitë fetare kanë qënë temat, të cilat janë shqyrtuar në takimin e liderëve poltik. Teuta Arifi nga BDI ka kontestuar përbërjen e Komitetit të bashkësive etnike duke vlerësuar se në te nuk janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë etnitetet: Ne do të insistojmë që kjo çështje të debatohet dhe të zgjidhet me një konsensus të të gjitha partive.
Nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, thotë se dikush harron se gjatë vitit 2001 kërkesat e fuqishme të PDSH-së kualifikosheshin si ide për ndarjen e Maqedonisë ndërsa tani të njëjtat ide dëshirojnë ti vënë në korniza kushtetuese: "Marrëveshja e Ohrit ka vetëm dy gjëra për shqiptarët, autonominë kulturore dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet shtetërore që janë të garantuara me konsensus."
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski nuk e përkrah idenë e BDI-së për ndryshimin e përbërjes së Komitetit të bashkësive etnike:
"Nuk ka arsye për ndërrimin e përbërjes së Komitetit. Nëse bëjmë ndrime pa arsye atëherë do ta humbim parimin e konsensusit që do të na shpinte në pafundësi."
Opozita maqedonase në takimin e liderëve politik ka kërkuar ndryshimin e rregullores së Parlamentit me çka deputetëve do tu lejohej diskutimi i pakufizuar kohor: "Ndryshimi i rregullores duhet të bëhet me konsensus që do të mundësonte mosndryshimin e saj pa marrë parasysh se kush është në pozitë."- ka deklaruar Jani Makradulli i LSDM-së.
Dialogu i liderëve politik nën patronazhin e ndërkombëtarëve ka hasur në reagime edhe tek vet pjesëmarrësit. Partitë maqedonase vlerësojnë se dialogu duhet zhvilluar me vetiniciativë dhe i njëjti të mos jetë gjithnjë nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Ndërkohë, partia opozitare shqiptare, BDI, këmbëngull që ky lloj i dialogut politik të realizohet me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve sepse vetëm në këtë mënyrë marrëveshjet e arritura mund të realizohen dhe respektohen.
Analist politik thonë se prezenca e ndërkombëtarëve në dialogun politik mund të ketë pasoja për imazhin e Maqedonisë sepse mund të konkludohet se elita politike në vend nuk ka kapacitet për të zhvilluar një dialog të mirëfilltë demokratik.Prezenca e ndërkombëtarëve mund në një mënyrë të vlerësohet edhe si shëndrim të Maqedonisë në një protektorat ndërkombëtar, thonë analist politik.