Bundestagu gjerman i thote ″po″ kushtetutes evropiane | Gjermania | DW | 12.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu gjerman i thote "po" kushtetutes evropiane

Me 95% të votave, deputetët gjermanë i thanë të mërkurën Po marrëveshjes së kushtetutës evropiane. Në këtë mënyrë deputetët i dhanë një sinjal të qartë Francës, e cila do të kalojë përmes provës së demokracisë në referendumin e datës 29 maj. 23 deputetë, para së gjithash nga radhët e Unionit Kristiandemokrat e Krisitansocial votuan me jo. 2 abstenuan. Debati që zgjati afro tre orë kaloi në harmoni dhe pa polemika.

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder e hapi debatin me nje deklaratö tö qeverisö sö vet. Nga deputetët e të gjitha partive ai kërkoi që t’i thonë PO këtij dokumenti, të cilin kreu i qeverisë gjermane e quajti historik:

"Duhet të tregohemi të kujdeshshëm me përdorimin e fjalës "historik". Por kushtetuta e Bashkimit Evropian, për të cilën duhet të vendosim sot, e ka merituar këtë term të madh. Natyrisht, që si rezultat i punës njerzore, ajo nuk i përmbush të gjitha shpresat e nuk i dëbon të gjitha frikat. Por teksti i kushtetutës është një kompromis i mirë dhe i përshtatshëm, i formuluar në një pune të mundimshme të konventës, nën drejtimin e kujdesshëm të Valeri Zhiskar D' Esten."

Nga gjithsej 594 deputetëtë parlamentit, 569 votuan pro dokumentit të kushtetutës. Dy të tretat e votave të nevojshme, në këtë mënyrë u tejkaluan. 80 deputetë protokolluan rezervat e tyre për pika të veçanta të kushtetutës. Ratifikimi përfundimtar përfundon me kalimin në Këshillin Federal, por ky konsiderohet si sigurtë. Bundestagu gjerman është kështu parlamenti i nëntë në Bashkimin Evropian që ka miratuar kushtetutën evropiane. Shrëderi vuri në dukje dobinë e një dokumenti të tillë dhe shtoi:

"Me rregulloren e shumicës së dyfishtë, për vendimmarrje, i përmbahet parimit të mirëfilltë demokratik: Një qytetar, një votë. Prandaj nuk ka se përse të ketë dyshim: Kush është për më shumë demokraci në Evropë, ai duhet të votojë për këtë kushtetutë."

Minsitri gjerman i punëve të jashtme, Joshka Fisher, nga të gjelbrit, e filloi fjalimin me një thënie të ish presidentit francez, Fransua Miteran: "Nacionalizëm do të thotë luftë." Ekologjisti Fisher, nënvizoi që në fillim dobinë e integrimit evropian për paqen e kontinentit. Ai tha:

"Në qoftë se duam një Evropë paqësore, atëherë nuk duhet ta ndajmë atë në një Evropë integrmi, dhe në një tjetër që luhatet mes dëshirës për t'iu afruar Brukselit dhe frustrimit. Jo! Kjo nuk do të funksionojë. Ky është mesazhi që kemi mësuar në vitin 1991 nga konfliktet e shkatërrimit në Jugosllavi."

Fisher u shpreh për një perspektivë të qartë Evropiane për vendet aspiruese të BE-së, duke përmendur shprehimisht Kosovën:

"Në të gjitha zgjidhjet, deri tek ajo e Kosovës, në qoftë se do ta përjashtojmë këtë perspektivë në integrimin evropian, atëherë kjo do të thotë, që problemet, konfliktet, por edhe barbaria, rrezikohen të kthehen përsëri."

Kryetarja e partisë më të madhe të opozitës, Unionit Kristiandemokrat; Angela Merkel, në fjalen e saj, shprehu rezervat e unionistëve per mungesen ne kete dokument te percaktimit te prejardhjes se krishtere të kontinentit. Ajo nga ana tjeter, lavdëroi kompromisin e arritur javen e kaluar mes dhomes së landeve dhe qeverise gjermane, per një informim me te mire te Bundestagut dhe Bundesratit per direktivat evropiane. Merkel tha:

"Kjo do të thotë, që çështjet evropiane, që më vonë do të duhet të zbatohen në ligje kombëtare, të mund të diskutohen me kohë, që qeveria federale të detyrohet të deklarojë pozitën e saj në negociata dhe që devijime nga këto pozita, në qoftë se ato e bëjnë të nevojshme forcën integruese të Bashkimit Evropian, t'i njoftohen sa më parë parlamentit, në mënyrë që ne të mos çuditemi për direktiva që hyjnë në fuqi shtatë vjet mbas vendimmarrjes. Ky është një parakusht për ta sjellë Evropën deri tek njerzit në zonat tona zgjedhore."

Para së gjithash ky ishte parakusht i arritur ne kompromisin e javes së kaluar, që dokumenti i kushtetutes, të kaloje pa probleme në Këshilin Federal, ku shumicën e ka në dorë opozita. Votimi për kete do të bëhet me daten 27 maj, vetem dy dite para referendumit të Francës.

  • Data 12.05.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3q
  • Data 12.05.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3q