1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Britani e Madhe : Ndryshon ligji kundër terrorizmit

12 Qershor 2008

Sukses politik për kryeministrin britanik Gordon Brown. Shuplakë për aktivistët e të drejtave të njeriut. Dhoma e Ulët e parlamentit britanik miratoi të mërkurën në darkë (11.06) ashpësimin e ligjeve anti-terror.

https://p.dw.com/p/EIR0
Victoria train station, Central London, 1 korrik 2007
Victoria train station, Central London, 1 korrik 2007Fotografi: AP

Në të ardhmen në Britaninë e Madhe të dyshuarit për terror mund të mbahen në gjendje arresti deri në 42 ditë edhe në rast se ndaj tyre nuk është ngritur padi. Dhoma e Ulët e parlamentit britanik miratoi të mërkurën në darkë (11.06) ashpësimin e ligjeve anti-terror. Deri tani periudha maksimale e këtij lloj burgimi ishte 28 ditë. Edhe pse shumë prej anëtarëve të partisë laburiste nuk votuan pro projektligjit të kryeministrit Gordon Brown, miratimi i tij prej Dhomës së Ulët të parlamentit mund të konsiderohet sukses politik i kryeministrit.

Pas disa humbjesh me votimin e këtij ligji Gordon Brown donte të dëshmonte autoritetin e tij. Ai e paraqiti atë në parlament edhe pse rreth 50 deputetë laburistë kishin kërcënuar se do të votonin kundër. Në biseda kokë me kokë me rebelët ai dhe krerët e partisë laburiste, arritën t'i bindnin disa prej rebelëve. Po ashtu me sa duket përmes premtimeve për ndihma financiare, ata arritën të fitonin edhe votat pro të deputetëve të Partisë Protestante të Irlandës së Veriut.

315 vota pro 306 kundër, një diferencë vërtet e vogël e arritur ekzaktësisht me nëntë votat e deputetëve të Partisë Protestante të Irlandës së Veriut. Me këtë ligj Britania e Madhe i ashpërson edhe më tej ligjet e saj anti-terror edhe pse ato edhe në gjendjen e tanishme ishin ligjet më ashpra në të gjithë Evropën. Sekretari i laburistëve për punët e brendshme Tony McNulty deklaroi pas votimit: "E pranoj plotësisht se do të kem për detyrë t'i bind rreth 30 kolegë të mi për drejtësinë e rrugës sonë."

Dhe ndërkohë që në parlament numëroheshin votat u përhap një lajm, i cili e bëri sërish të ngrysej nga meraku kryeministrin Brown. Në një tren lokal në rrethinat e Londrës një kalimtar gjeti dy dokumenta qeveritare të klasifikuara si "tepër sekrete" në lidhje me rrjetin terrorist të Al Kaidës dhe gjendjen e sigurisë në Irak. Ky lajm është tepër i hidhur për qeverinë, e cila muajt e fundit u detyrua të pranojë një sërë problemesh në lidhje me manaxhimi e të dhënave, që nga humbja e llogarive bankare, tek ajo e listave të atyre që merrnin ndihma për fëmijët në të gjithë Britaninë e Madhe apo e dokumentave për rekrutimet në ushtri.

Gjetësi i dokumentave, të cilat e kanë origjinën në një nga zyrat e kabinetit britanik ia dorëzoi ato BBC-së. Dokumentat nuk përmbanin emra dhe të dhëna të tjera konkrete, por ishin të klasifikuara si konfidenciale. Policia po vazhdon hetimet.