1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri britanik synon ashpërsimin e ligjeve për luftimin e terrorizmit

Pandeli Pani26 Korrik 2007

Kryeministri ri britanik Gordon Brown i parashtron dhomës së ulët të parlamentit një seri masash ligjore për luftimin e terrorizmit.

https://p.dw.com/p/BM6Y
Gordon BrownFotografi: AP

Kryeministri i ri britanik, Gordon Brown synon të ashpërsojë ligjet për luftimin e terrorizmit në vend. Sipas përfytyrimeve të tij organeve të sigurimit duhet t'u bëhet e mundur që personat e dyshuar për terror t'i mbajnë në gjendje arresti edhe më tepër se 28 ditë. Brown kërkoi që në praktikën hetimore të vendit të rifutet përdorimi i aparatëve të përgjimit, një praktikë kjo, e cila për momentin nuk përdoret prej organeve të hetuesisë dhe të policisë. Po ashtu Brown kërkoi në dhomën e ulët të parlamentit përforcimin e masave të përgjimit të telefonave, të celularëve dhe të komunikimit permes internetit si dhe shtimin e pranisë së punonjësve me uniforma policie nëpër pikat e kontrrollit në porte dhe aeroporte.

"Ndryshimi i parë që do të shohin njerëzit që vijnë në Britani duke filluar që nga muaji i ardhshëm është se nëpër kufij, si nëpër porte edhe aeroporte, do të ketë një prani më të dukshme të punonjësve të uniformuar." - tha Brown.

"Vendi ynë, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera gjenden përballë sfidash të mëdha për të përballuar dhe fituar ndaj dhunës me motive terroriste të Al Kaidës." - theksoi Brown duke argumentuar kërkesat e tij. Brown theksoi se për luftimin e terrorizmit, Britania e Madhe do të intensifikojë edhe bashkëpunimin me vendet e tjera evropiane.

Brown propozoi edhe krijimin e një trupe kufitare të njësuar, e cila do të përmbushte detyrat e oficerëve përgjegjës për emigrimin, për doganat dhe të agjencive të vizave.

Duke parashtruar masat e tij përpara dhomës së parlamentit Brown theksoi, se beson që po e bën këtë "duke shpresuar në një konsensus të të gjitha partive dhe të gjitha komuniteteve të vendit, në mënyrë që bashkarisht të krijojmë një Britani të Madhe më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar."

Gjithësesi një herë për një herë është e paqartë nëse kryeministri i ri i Britanisë së Madhe do t'ia dalë ta miratojë ligjin për zgjatjen e periudhës së burgimit hetimor. Në vitin 2005 Tony Blairi dështoi në parlament me përpjekjen për ta zgjatur deri në 90 ditë kohën e paraburgimit.