Berisha: Ligjin nuk e duan ata që notojnë në kënetën e informalitetit | Ballkani | DW | 16.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Berisha: Ligjin nuk e duan ata që notojnë në kënetën e informalitetit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha reagon për kritikat në marrëdhëniet qeveri - biznes.

Sali Berisha

Sali Berisha

Të dielën në mbrëmje kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me gazetarët, ku ka komentuar gjatë kritikat nga shoqatat e bizneseve, opozita, por dhe nga rradhët e mazhorancës, për atë që është konsideruar si “acarim i klimës në marrëdhëniet mes qeverisë dhe biznesit”

Kryeministri shpjegoi se në afër dy vjet qeverisje të të djathtëve janë përgjysmuar taksat dhe është favorizuar një konkurencë e lirë dhe e ndershme në biznes, duke luftuar mjaft dukuri negative të bartura nga e kaluara që diskriminonin dhe madje falimentonin sipërmarrje të tëra në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë ai u ndal tek projektligji për vendosjen e gjobave për bizneset, i cili po shoqërohet me polemika të shumta në ditët e fundit.

“Atyre që spekulojnë me pretendimin se gjobat përdoren për të mbushur buxhetin më duhet t’i them se vetëm një mendje e sëmurë mund të aludojë apo të imagjinojë që një qeveri që mbi përgjysmon taksat për biznesin e vendit të tij, të dëshirojë të mbushë me gjoba buxhetin e saj. Ky pretendim është sa qesharak, aq edhe naiv”, tha Berisha duke shtuar se, “të tjerëve që shpallin se ligji është jashtë të gjitha standardeve të vendeve të BE-së dhe e bëjnë këtë se nuk i njohin këto standarde, njerëzisht do t’u kërkoja t’i lexonin ato. Ndërsa ndonjërit që e deklaron këtë, sepse tmerrohet nga këto standarde, vetëm e vetëm pse ndihet mirë dhe i lumtur duke notuar në kënetën e informalitetit, më duhet t’i them se asgjë nuk do të mund të parandalojë vendosjen e këtyre standardeve dhe të shtetit ligjor në Shqipëri”.

Kryeministri mbrojti idenë se ligji që debatohet aktualisht në parlament, është jo vetëm direktivë e OECD-së, por është dhe standard i vendeve anëtare të BE-së dhe sipas tij qeveria me këtë ligj kërkon të përmbushë pikërisht këtë standard.

“Konkurrenca e lirë dhe lufta me mjete ligjore kundër evazionit si kusht për garantimin e saj janë detyrimi madhor i Shqipërisë për integrimin në BE. Këto standarde janë jetike për ekonominë e lirë të tregut. Ato nuk i duan vetëm ato grupe dhe individë që duan të notojnë në kënetën e informalitetit. Me shumë njerëzi dua t’i bëj thirrje sot të dalin në dritën e diellit, të shkëputen prej saj”, deklaroi të dielën në mbrëmje kryeministri.

Ai pranoi se ka qenë një defekt, mosdiskutimi paraprak gjerësisht me biznesin i ketij projektligji. “Gjykoj se ky defekt u korrigjua gjatë këtyre 10 ditëve të fundit, ku biznesi pati mundësi të shqyrtojë e të shprehë mendimet e tyre. Përsa i përket shumicës ju siguroj se kam diskutuar me drejtuesit e forcave politike të shumicës, vetëm në ndonjë rast që, për arsye shërbimesh, nuk kam mundur të takohem. Kjo është në natyrën time, dhe këtë çështje e kam diskutuar gjerësisht me ta dhe nuk ka kundërshti”.

Kryeministri Sali Berisha u pyet gjatë takimit me gazetarët dhe për misionin faktmbledhës të OKB-së në Kosovë dhe qëndrimin e Rusisë për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit.

“Kosova është një vend që aspiron të bëhet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në këtë kontekst nuk është kaq e pazakontë që të vizitohet nga një delegacion i këshillit të sigurimit, por nuk mund të parashikoj se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar rus.

Politika e bazuar në lidhjet gjenetike të shpallura ruso-serbe në Ballkan është një politikë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit dhe shpresoj që presidenti Putin të jetë bindur nga luftërat e Ballkanit se vendi i tij në fillimet e shekullit mban një përgjegjësi për padrejtësitë që u bënë në këtë gadishull.
Mirë do të jetë që këto padrejtësi të njihen dhe mbi bazën e tyre, të ndërtohet qëndrimi tjetër. Sidoqoftë Kosova do të bëhet e pavarur”, deklaroi kryeminisri Berisha.


  • Data 16.04.2007
  • Autor Arben Muka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWX
  • Data 16.04.2007
  • Autor Arben Muka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWX
Reklamë